14/04/2024

E kaluara e vështirë po i ngarkon edhe sot raportet mes polakëve dhe gjermanëve. 85 vjet pas sulmit gjerman ndaj Polonisë, i cili shkaktoi Luftën e Dytë Botërore, çështja e pagesave të reparacioneve gjermane ndaj vendit fqinj është kthyer prapë në rend dite. “Pagimi i faturës do të ishte historikisht i justifikuar,” i tha kryeministri polak Donald Tusk kancelarit Olaf Scholz në Berlin më 2 shkurt 2024. Për çështjen e dëmshpërblimeve morale dhe materiale, “Gjermania ka ende diçka për të bërë”, por jo në atë mënyrë që të rëndojë marrëdhëniet gjermano-polake, shtoi Tusk. Ministri i Jashtëm polak Radoslaw Sikorski i kishte bërë thirrje më parë homologes së tij, Annalena Baerbock që “të trajtojë në mënyrë krijuese trashëgiminë e vështirë historike”.

Grindjet për reparacionet

Kërkesat për dëmshpërblim nuk janë të reja. Për tetë vjet, qeveria polake e krahut të djathtë të PiS u përpoq të bënte kapital politik të brendshëm me retorikë antigjermane. Kreu i partisë PiS, Jaroslav Kaczynski, theksoi vazhdimisht se Gjermania nuk e kishte paguar ende faturën e saj historike. Sipas një raporti, Gjermania i detyrohet Polonisë ekuivalentin e më shumë se 1,3 trilion euro: për punën e detyruar të rreth 2,1 milionë polakëve, humbjen e territoreve lindore në favor të Bashkimit Sovjetik dhe humbjen e 196.000 fëmijëve të gjermanizuar me detyrim.

Në shtator 2022, Sejmi polak miratoi një rezolutë që i bëri thirrje Gjermanisë të merrte përgjegjësinë – gjithashtu me votat e opozitës së atëhershme të drejtuar nga Donald Tusk. Megjithatë, opozita këmbënguli që fjala “reparacione” të zëvendësohet me fjalën “përmirësim”. Kundërshtarët politikë po përpiqen të diskreditojnë Tuskun si “tradhtar shtetëror” dhe “agjent të Berlinit” për shkak të kësaj çështjeje. Në vitin 1953, Polonia hoqi dorë nga dëmshpërblimet, pra kërkesat nga shteti në shtet. Ky është mendimi mbizotërues i juristëve dhe historianëve nga të dy vendet. Kjo nuk ndikon në kërkesat individuale të dëmshpërblimit të viktimave naziste.

Në notën diplomatike të Polonisë në vitin 2022 drejtuar Gjermanisë, 50 vendeve të tjera, OKB-së, NATO-s dhe SHBA-së, të cilat qeveria e PiS nuk donte t’i bënte publike, nuk përmendeshin reparacionet – siç doli më vonë. Në atë kohë, komisioneri i reparacioneve të qeverisë polake, Arkadiusz Mularczyk, vizitoi Berlinin. Kërkesa e tij për një debat të Bundestagut për pagesat e dëmshpërblimeve ndaj Polonisë, si në rastin e Greqisë, mbeti e paplotësuar.

Që nga ndryshimi i qeverisë në Varshavë, është rikthyer debati për reparacionet. Në fund të muajit të kaluar, kur presidenti Andrzej Duda u dha medalje nderi autorëve të raportit mbi dëmet e luftës, presidenti Duda e përshkroi heqjen dorë nga kërkesat për dëmshpërblime nga Tuski si “një turp”. Ai vuri në pikëpyetje heqjen dorë nga Polonia në 1953, të cilën Gjermania e konsideron si përfundimtare.

Markus Meckel shpjegon pse çështja e reparacioneve ishte tabu për Poloninë edhe pas rënies së komunizmit. Si ministri i parë demokratik i RDGJ-së, ai mori pjesë në negociatat 2+4 midis dy shteteve gjermane dhe aleatëve. “Ishte strategjikisht e zgjuar të heqësh dorë nga dëmshpërblimet,” tha Meckel në një intervistë për DW. “Atëherë çështja e kufirit kishte prioritet absolut. Kushdo që e ngre sërish këtë çështje rrezikon sot që nacionalistët në të dy vendet ta hapin prapë çështjen e kufirit.”

Ndryshimi i politikës

Çështja e reparacioneve është e mbyllur sipas ligjit ndërkombëtar, por moralisht është ende e hapur. Ky mendim mbizotëron sot si në Berlin ashtu edhe në Varshavë. Në kryeqytetin polak, zëvendësministri i Jashtëm, Wladyslaw Teofil Bartosiewicz, babai i të cilit ishte një nga të burgosurit e Aushvicit dhe ministër i Jashtëm, konfirmoi në stacionin radiofonik RMF FM më 22 janar 2024 se departamenti i tij po punonte për një koncept dëmshpërblimi. Përgjegjës për këtë është Sekretari i Shtetit për Çështjet Evropiane, diplomati me përvojë Marek Pravda, ish-ambasador i Polonisë në Gjermani dhe BE.
Berlini shpreh gjithashtu gatishmërinë e tij për të bashkëpunuar: “Ne jemi në një shkëmbim konstruktiv dhe bashkëpunues me palën polake për çështjet e kujtimit dhe të pajtimit me historinë tonë të përbashkët plot ngjarje,” tha për DW zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme. “Ne duam ta formojmë këtë në një mënyrë të orientuar drejt së ardhmes dhe së bashku me Poloninë. Në të njëjtën kohë, ne besojmë se çështja e reparacioneve është zgjidhur.” Rifillimi i bashkëpunimit dypalësh qeveritar që u ndërpre nga PiS është gjithashtu sërish në tryezë. Gjermania dhe Polonia së bashku me Francën po flasin sërish në mënyrë trepalëshe, në formatin e Trekëndëshit të Vajmarit.

Gjermania ka shumë mundësi për të korrigjuar, shpjegon Nyke Slawik (Partia ekologjiste Bündnis90), babai i të cilit vjen nga Polonia. “Të gjitha partitë demokratike në Bundestag bien dakord për thellimin e bashkëpunimit me Poloninë”, shpjegon deputeti i Bundestagut. Së pari dhe më kryesorja, Slavik përmend kompensimin për viktimat individuale. Konkretisht, po diskutohet një fond pensioni dhe marrja e kostove, për shembull për mjekim dhe trajtim të rreth 45.000 polakëve. Slavik do të donte gjithashtu të shihte më shumë shpejtësi në ndërtimin e Shtëpisë Gjermano-Polake në qendër të Berlinit.

Slavik e sheh Gjermaninë si detyrë që të mbrojë asetet e humbura kulturore të Polonisë. Një shembull kryesor është rindërtimi i Pallatit Sakson në Varshavë, të cilin pushtuesit gjermanë e hodhën në erë pas shtypjes së Kryengritjes së Varshavës në 1944.

Siguri e përbashkët në vend të dokumenteve

Markus Meckel, një nga arkitektët e pajtimit midis dy kombeve, dëshiron t’i japë Polonisë më shumë garanci sigurie. Pas sulmit rus në Ukrainë, Meckel e konsideron bashkëpunimin më të ngushtë të sigurisë midis Gjermanisë dhe Polonisë si thelbësor dhe angazhohet për më shumë prani gjermane në krahun lindor të NATO-s. Meckel shkon më larg se shumë politikanë gjermanë dhe kërkon që Gjermania të punojë së bashku me Poloninë për anëtarësimin e Ukrainës në NATO.

Çështja e reparacioneve mbetet në rendin e ditës në marrëdhëniet gjermano-polake, edhe nëse tani quhet si përmirësim. Gjatë tetë viteve të fundit, Berlini ka mbajtur distancën përballë kërkesave trilionë dollarëshe të qeverisë së mëparshme në Varshavë. Megjithatë, sot në kryeqytetin gjerman ka një gatishmëri të përtërirë për të folur edhe për temat më të vështira./DW