01/12/2024

Kordinatori i grupit parlamentar të BDI-së, Arbër Ademi në emisionin “Real Story” në ABC ka folur për marrëdhëniet mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, pas zgjedhjes së Talat Xhaferit si kryeministër. Ai ka vlerësuar se ky është një moment historik për shqiptarët në Maqedoni dhe se bashkëpunimi i shqiptarëve është thelbësor për stabilitetin dhe integrimin e vendit.

“Nuk është një gjë e re. Në zgjedhjet presidenciale të fundit në Maqedoni, por edhe në zgjedhjet parlamentare në 2020 eksponentët kryesorë të VV kanë mbajtur anën e Aleancës për Shqiptarët. Kryetari Ahmeti ka bërë një prononcim se është e drejtë e gjithsecilit për të mbështetur apo përkrahur njërën apo tjetrën parti. Është shumë e mirëseardhur deklarata e kryeministrit Kuti në Shkup se VV nuk ka në plan që të marrë pjesë në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare në Maqedoninë e Veriut. Shqipëria dhe Kosova puna më e mirë që mund të bëjnë për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, është ti mbajnë unik të mos copëzohemi sepse defaktorizohemi, për ata që nuk ia duan të mirën shqiptarëve”, tha Ademi

Ademi gjithashtu ka komentuar deklaratën e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, lidhur me kryeministrin e ri shqiptar në Maqedoninë e Veriut. Ai ka shprehur mirënjohje për përshëndetjen e Kurtit dhe ka thënë se prioriteti i Xhaferit dhe qeverisë së tij është të rrisë intensitetin e bashkëpunimit me Shqipërinë dhe Kosovën.

“Më vjen mirë që ka përshëndetur për zgjedhjen e zotit Xhaferi si kryeministër të vendit. Sigurisht si prioritet i zotit Xhaferi dhe qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut siç ka qenë do të jetë sërish përafrimi i relacioneve me Shqipërinë , Kosovën, BE, SHBA pra kemi shumë punë për të bërë. Dhe duhet të kemi një strategji të përbashkët për heqjen e kufijve mes mesh duke u bërë pjesë e familjes europiane. Edhe me kryeministrin Kurti do të kemi raporte intensive. Vetëm sot, mjaft kolegë të mi nga VV më kanë uruar për këtë arritje të madhe”, tha Ademi (politiko.mk)