03/10/2024

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmeti e ka vlerësuar moment të rëndësishëm dhe historik për shqiptarët zgjedhjen e Talat Xhaferit si kryeministër i Maqedonisë së Veriut.

Ndonëse Xhaferi po njihet si kryeministër teknik, Ahmeti ka thënë se në dokumentet zyrtare nuk ka kryeministër teknik dhe kjo nuk e zvogëlon aspak rëndësinë që ka ky moment për shqiptarët.

Ai e ka vlerësuar “të gabuar” dhe ka “shprehur keqardhje” për mospjesëmarrjen e partive opozitare shqiptare në këtë akt të cilin e ka quajtur historik.

“Ky vërtet është moment i rëndësishëm dhe historik, jo vetëm për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, edhe për qytetarët maqedonas, por edhe për shqiptarët në tërësi, sepse ne jemi prodhues të stabilitetit e të paqes. Jemi thellësisht të angazhuar që jo vetëm Maqedonia e Kosova me vendet fqinje të jetojmë në fqinjësi të mirë me njëri-tjetrin, por edhe më gjerë Ballkani Perëndimor sepse e kaluara e Ballkanit është tepër e hidhur”, ka shtuar Ahmeti.