11/12/2024

Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti siguron publikun se ndryshimet e Kodit Penal nuk parashohin amnisti të kriminelëve, por sigurojnë shtet dhe gjyqësor funksional, transmeton TV21.

Ai tha se “derisa do ta drejtojë Bashkimin Demokratik për Integrim, mbrojtje dhe amnisti nuk merr askush nëse nuk e ka respektuar Ligjin dhe normat njerëzore”.

“Kodi Penal nuk është amnisti. Amnistia ka karakter tjetër dhe Kodi Penal, ndryshimet që janë bërë në Kodin Penal është tërësisht çështje tjetër. Kodi Penal të cilin ne e kemi, është fosile e mbetur nga regjimi jugosllav, për të zgjatur hetimet, për të mbajtur njerëzit nën hetime për nga 6, 8 vjet. I gjithë ndryshimi i Kodit Penal është bërë për të pasur një shtet funksional dhe një gjyqësi funksionale, dhe jo ta mbash njeriun 6 vjet nën hetime dhe tani ta lëshosh të pafajshëm… Ne i kemi analizuar të gjitha shtetet se si i kanë normat dhe kodet. Kodin që e kemi ne, nuk e ka asnjë vend i BE-së. Asnjë vend i Bashkimit Evropian dhe nuk është vendosur rastësisht me yll të Evropës”, tha Ahmeti.

Zbuloi se për këto ndryshime janë bërë me dhjetëra takime mes tij, ish kryeministrave Zoran Zaev dhe Nikolla Gruevski, ndërkaq shprehet i befasuar se pse në fund u tërhoq VMRO-DPMNE-ja e Hristijan Mickoskit.

“Është një epilog shumë interesant. Fillimisht nuk u pajtua Zoran Zaevi, dhe tani kur u arrit dakordësia me LSDM-në, u tërhoq VMRO-ja, u tërhoq Hristijan Mickoski nga ndryshimet e Kodit Penal dhe kjo ishte befasi e madhe. Janë bërë dhjetëra takime në Klubin e Deputetëve për këtë Kod, për ta ndryshuar dhe për ta përafruar me standardet evropiane. Në ato takime ka pasur grupe të punës. Takimet janë bërë në fshehtësinë më të madhe mes Zoran Zaevit, Nikolla Gruevskit dhe unë. Erdhëm deri te momenti kur u dakorduam të gjithë dhe në fund u tërhoq VMRO-ja”, tha më tej Ahmeti në një intervistë ndryshe në TV21.