08/09/2024

“Kur guxuam, ia dolëm, kur ëndërruam, realizuam, kur besuam, punuam, kur u tha, u bë”, kështu tha ndër të tjera kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti në video-mesazhin e drejtpërdrejtë në faqen e tij zyrtare në Facebook, duke iu referuar të gjitha arritjeve kombëtare në Maqedoninë e Veriut.

“Katër vite më parë, nga ky vend, ju drejtova juve me fjalët: Çdo gjë e ka një fillim. Çdo gjë fillon me një ëndërr. Ju thash që të gjithë ne i kemi ëndrrat tona, për fëmijët tanë, për vetën tonë, për vendin. Besoj ju kujtohet kur theksova që, ne, shqiptarët, kemi ëndërruar për liri, për barazi. Liria dhe barazia nuk vijnë lehtë, kërkojnë shumë sakrificë dhe përkushtim, por edhe besim, besim që qëllimi do të arrihet. Më pyetën, a vërtetë besoni që do të bëhet, thash jo vetëm që besoj, por edhe do të bëhet. Ashtu besoja edhe në Marrëveshjen e Ohrit. Edhe në zyrtarizimin e gjuhës shqipe dhe të flamurit kombëtar. Besoja që do të bëhemi pjesë e NATOsë dhe që do të hapim negociatat për anëtarësim në Bashkimin Europian. Besoj edhe që shpejtë do të anëtarësohemi në Bashkimin Europian, sepse Shtetet e Bashkuara të Europës është ideali im dhe për këtë punoj çdo ditë”, tha Ahmeti.

Ahmeti tha se realizimi i premtimit për Kryeministrin shqiptare, tregon se shqiptarët marrin përgjegjësi për t’i prirë vendit me barabartësi, drejt një të ardhme europiane.

“E nesër vëllezër e motra, nesër është ditë historike. Nesër, e diel, më 28 janar të motit 2024, zgjedhim Kryeministrin e parë shqiptar të Maqedonisë së veriut. Kjo ditë është historike sa për shqiptarët, aq edhe për maqedonasit, si dhe për të gjithë të tjerët, sepse po bëhemi shtet dhe shoqëri e barabartë dhe po tejkalojmë të gjitha paragjykimet. Bashkarisht po ndërmarrim përgjegjësinë për ti prirë vendit, jo njëri pas tjetrit, por krah më krah, bashkë, për një Maqedoni Europiane. Jam mirënjohës që na besuat, u rreshtuat pas ëndrrës tonë dhe që ky besim i juaji, kjo mbështetje e juaja po shpërblehet nesër, edhe me një premtim të mbajtur, edhe me një punë të kryer, edhe me një ëndërr të realizuar. Uroj të gjithë qytetarët tanë për këtë të arritur dhe jam i sigurt që vendi ynë po bëhet edhe më i fortë, edhe më i barabartë edhe më i bashkuar”, deklaroi Ahmeti.

Ndryshe, kujtojmë se nesër më 28 janar, parlamenti pritet të hedhë në votim formimin e qeverisë së drejtuar për herë të parë në historinë e vendit, nga një kryeministër shqiptar, Talat Xhaferi. /indeks.mk