-Vëtë kandidatura e Bujar Osmanit, është një atu i fortë, sepse ai u tregua i suksesshëm si ministër i politikës së jashtme dhe si kryesues i OSBE-së, për të cilin kanë thënë fjalë miradije këtu dhe jashtë, por dhe lidhja e kësaj kandidature me ndryshimet kushtetuese që zgjedhja e presidentit të kalojë në Kuvend, ku në rrethana të favorshme edhe mund të bëhet president një shqiptar
(Editorial i portalit indeks.mk)
Pas shpalljes së projektit më të ri politik të Ali Ahmetit për garën për kryetar shteti, mund të shprehemi me fjalën popullore “me një plumb, vret dy zogj”!
Kështu mund të thuhet se ishte “poentimi” politik i Ali Ahmetit me “lajmin e madh” që e kishte paralajmëruar!
Edhe e herën e kaluar BDI e bëri në të njëjtin stil kur në mediat sociale lëshoi lajmin “Ai po vjen”. Pyetja se kush po vjen e xigloi kureshtjen e çdokujt gjatë atyre ditëve, dhe në fund AI, që vjen, nuk ishte Ali Ahmeti, që shumëkush e mendonte se do të vinte në këtë apo atë mjedis, por, ishte projekti politik tejet ambicioz i Kryeministrit Shqiptar. Kur e shpallën më në fund, shumëkush e mendoi se është një karrem për votuesit shqiptarë që më parë kishin ikur te parti të tjera, por jo. Nuk ishte vetëm kthimi i votuesve shqiptarë te partitë shqiptare (një meritë e
Ali Ahmetit që duhet t’ia pranojnë partitë tjera), që si efekt vërtet u arrit, por dhe premtimi të cilin shumë shpejt pas zgjedhjeve edhe e konkretizoi: “kryeministri shqiptar” nuk ishte një premtim bosh dhe demagogji elektorale, por koncept i menduar mirë, që dhe të realizohet.
Kryeministri Talat Xhaferi është dëshmia se BDI-ja e pati seriozisht para katër vitesh.
Fakti që kryeministri do të bëhej në fund të mandatit, nuk e zvogëloi peshën e premtimit dhe realizimit. Me rëndësi është se u thye një klishe, dhe e bëri të mundur që në krye të Qeverisë, të vijë një shqiptar.
Gjatë këtyre dy mandateve të fundit, u thyen edhe klishe të tjera që e bëjnë politikën e BDI-së konsistente, pragmatike dhe për më tepër, edhe programatike: ministër financash, kryetar parlamenti, e ministrin e jashtëm…që më parë nuk mund të paramendoheshin.
Këto i përkujtojmë që t’i kthehemi projektit më të ri politik të Ali Ahmetit që ia ka mësy “kryetarit” të shtetit me dy atu të forta.
Atuja i parë, është vetë ideja që të bëhen ndryshime kushtetuese që kryetarin e shtetit ta zgjedhë Kuvendi me dy të tretat e votave dhe me parimin e “shumicës së Badinterit”(me çka praktikisht, jetësohet edhe ideja e BDI-së që kryetari të jetë përherë konsensual, pasi për të do të duhej përherë një përkrahje e gjerë politike). Në pako me kryetarin, është edhe nënkryetari, diç e re për momentin aktual, por që nuk është e panjohur nga e kaluara!
Ky model ka përparësinë e vet, pasi disi logjikshëm nënkupton se edhe nëse nuk zgjidhet (përherë) ndonjë shqiptar për kryetar, posti i nënkryetarit do të ishte “i rezervuar” për ta dhe në varësi prej kompetencave, pozita e tij do të ishte bukur me ndikim.
Atuja i dytë, është vetë kandidatura për kryetar shteti.
Aty u gjet një nga ministrat më të suksesshëm nga radhët e BDI-së, i cili u tregua i zhdërvjelltë në misionindiplomatik në një periudhë tejet të ngarkuar për vendin, sidomos në raport me fqinjin lindor. Është i njëjti personalitet të cilit i ra hise edhe kryesimi me OSBE-në, që sipas vlerësimeve të dhëna edhe nga jashtë dhe nga përshtypjet e këtushme, siç u shpreh dhe legjenda e komentuesve sportivë, Atanas Kostovski, të gjithëve na ka bërë krenarë.
Pra, BDI-ja, gjithnjë del me ide origjinale për garën politike, dhe atyre u shkon deri në fund, por dhe gjithnjë ka dhe zgjidhje kadrovike të shkëlqyeshme që mund t’ia mohojnë vetëm dashakeqët.
Me këtë lëvizje të fundit, Ali Ahmeti dhe BDI-ja edhe një herë sfidojnë oponencën dhe zgjedhësit me një projekt interesant, por mbi të gjitha, edhe realist.
Sepse, ajo që tha lideri i BDI-së se luan në “Super-ligë” ka shumë të vërtetë, sepse, nëse dijti ta konceptojë dhe realizojë idenë e kryeministrit shqiptar, në rrethana të favorshme politike mund ta jetësojë edhe kryetarin shqiptar.