Kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti mori pjesë në takimin “Ballë për ballë për mundësi te barabarta”, i cili në fjalën përshëndetëse tha se se organizimi i këtij eventi për të drejtat e grave është një vazhdë e përpjekjeve tona për të kërkuar drejtësi dhe barazi. Përballë sfidave dhe torturave, ne jemi solidarë dhe luftojmë për të drejtat e të gjithëve, pa dallim gjinor, tha ai.
“Të gjithë ju aktiviste te degëve të BDI-së, Sekretariati për Mundësi të Barabarta, do të doja të ju përgëzoj për këtë event të mirëorganizuar. Ky organizim ka të bëjë me një aktivitet që është një vazhdë e aktiviteteve të Bashkimit Demokratik për Integrim që është Forumi i Grave.”, vazhdoi Ahmeti.
“Ky Forum e kthen kujtesën tek e kaluara ku në të gjitha aktivitetet që nga fillimi i protestave të lëvizjeve studentore, studente kemi qenë bashkë në kërkim të të drejtave tona që na mohoheshin. Përballë torturave kemi qenë të barabartë, ku në mënyrë mizore torturoheshin gratë, studentet, nënat e motrat, ashtu siç torturoheshin burrat, studentët, vëllezërit pa dallim, por edhe pa dallim përkatësie gjinore, të gjithë bashkë merrnim pjesë dhe ndanim përgjegjësi, kjo vazhdoi deri në atin e frontit drejtpërsëdrejti përballë pushtuesit.”
Gratë, vajzat, nënat, kanë qenë pjesë e pandarë e luftës si në llogore e pozicione ashtu edhe në ndihmë, me të gjitha mjetet që posedonin në ndihmë të vëllezërve dhe motrave të tyre në front, nënvizoi Ahmeti. “Prandaj të nderuara nuk ka nevojë të bëni kërkesa, të kërkoni barazi dhe ngritje të motrave dhe grave shqiptare. Unë nëse kam pasur ndonjë pakënaqësi dhe revoltë të brendshme , ka qenë ajo pjesë e jetës time në politikën legale.”
“Kur jam kyçur në politikën legale në vitin 2002 nuk kishte as edhe një deputete përfaqësuese të grave shqiptare. Këtu filloi edhe irritimi im, ku në shumë projekte si ai i elaboratit të Çubrilloviqit, thoshin të vritet nëna shqiptare, prandaj kjo që unë hasa në vitin 2002 më gërryente shpirtërisht, duke më rikujtuar gjithmonë agjendën e apelit të Çubrilloviçit ‘vrisni atë që është më fajtori i fajtorve’. Prandaj detyrimi mbeti tek unë dhe të gjithë bashkëpunëtorët e mi, se si të arrijmë ta avancojmë gruan shqiptare, sepse në saje të ngritjes dhe shkollimit të gruas, e shoh edhe shkallën e ngritjes së një kombi, sa më e pa shkolluar nëna, aq më i pa ngritur kombi”, theksoi lideri i BDI-së, Ali Ahmeti.