11/12/2024

Kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami, në një intervistë për Alsat, ka “paralajmëruar“se në zgjedhjet e ardhshme partitë shqiptare do të ndahen në dy blloqe, njëri opozitar, ndërsa tjetri, që do të bashkojë LSDM-në, BDI-në, ASH-në dhe partitë e sapokrijuara. Në këtë ndarje, ai tha se fronti opozitar ka fuqi ta rrëzojë BDI-në dhe të gjitha partitë në Qeveri. Kasami gjithashtu akuzoi Ziadin Selën për të qenë opozitar i rrejshëm.

Mirëpo, kështu nuk mendojnë analistët politikë, të cilët vlerësojnë se për të tejkaluar dallimet e thella të interesave personale, partiake dhe ideologjike, duhet të ketë një zhvillim dramatik që të bashkojë palët, por për momentin nuk ka ndonjë zhvillim të tillë në bllokun shqiptar.
Analisti politik Sefer Selimi u shpreh se është më shumë si një dëshirë melankolike, sesa si një interes politik serioz, pasi Levizja Besa nuk arrin të bashkojë partinë brenda vetes, aq më pak të gjithë opozitën shqiptare.

“Bashkimi i opozites shqiptare në RMV më shumë i ngjan një dëshire melankolike se sa një interesi serioz politik. Duke u nisur nga zhvillimet e fundit Levizja Besa duket se nuk arrin të bashkoj partinë brenda vetes, e jo më opoziten shqiptare e cila tani është fragmentuar si kurrë më parë. E dyta, për të tejkaluar divergjencat e thella të interesave personale, partiake e ideologjike duhet të ketë një tronditje të thellë shoqërore apo një zhvillim të madh dramatik që përkohësisht t’i bashkoj palët, e të tillë zhvillim për momentin nuk kemi në bllokun shqiptar. Thënë shkurt, Lëvizja Besa dhe Bilall Kasami kanë gjasa minimale për të bashkuar opoziten”, tha Selimi.

Analisti politik Ibrahim Mehmeti u shpreh se në këtë moment nuk sheh një energji që të sjellë bashkimin e opozitës. Ka shumë ndryshime dhe lëvizje në politikën shqiptare, që e bëjnë bashkimin të vështirë. Liderët nuk kanë deklarata të qëndrueshme për bashkim të opozitës.

“Për momentin nuk shoh ndonjë energji e cila do të shpie drejt bashkimit të opozitës, për arsye se javëve të fundit kemi pasur aq shumë ndryshime dhe lëvizje në kahe të ndryshme të aktorëve të rëndësishëm të vetë skenës politike shqiptare këtu në Maqedoni. Dhe kjo e bën këtë bashkim të themi shumë të vështirë për arsye se disa parti përçahen të tjera formohen. Nuk kam dëgjuar ndonjë deklaratë ku këta liderë të posadalë në skenë dhe ata të cilët janë më të vjetër, të kenë ndonjë dëshirë apo deklaratë të qëndrueshme që së paku mua do të më bindte se ka ndonjë qëllim të sinqertë apo të bindshëm se mund të ketë ndonjë bashkim të opozitës.”, thotë për indeks.mk Ibrahim Memeti.

Ai shton se nuk është vetëm dëshira për të fituar më tepër në rrafshin politik, por koordinimi ose bashkimi i forcave politike nënkupton para së gjithash përputhjen e ideve dhe koncepteve dhe programeve eventuale.

“Kjo nuk realizohet brenda natës aq më tepër kur kemi lëvizje të pandërprera majtas, djathtas, kështu që është vështirë të supozohet diçka e tillë ose së paku diçka që do të na bindte se mund të presim ndonjë aktivitet më të kordinuar nga opozita”, përfundon Mehmeti. /indeks.mk