02/10/2024

Analistët politik në emisionin e mbrëmshëm Klan Debat vlersojnë se me kryeministrin e parë shqiptarë përveç se është thyer një tabu, më pas mund të hapet rruga edhe për një kryeministër me mandat të plotë në të ardhmen. Ndërkaq, për reagimet e VMRO-DPMNES-së thonë që VMRO- reagon për të përfituar vota nacionaliste.

Qeveria teknike me kryeministër shqiptar, sipas analistit Ibrahim Memeti, paraqet thyerje të një tabuje dhe një simbolikë të re dhe të pazakonshme për shqiptarët dhe vet shtetin e Maqedonisë së Veriut. Sipas tij, kjo mund të hapë rrugën edhe për një kryeministër me mandat të plotë e të pakufizuar në kompetenca në të ardhmen.

”Mendoj se simbolika është aty, edhe pse është një post me një madat të kufizuar dhe mandat të kofizuar është një thyerje e tabuje. Kryetari i Qeverisë megjithatë ka një pozicion pak më të rëndësishëm me vet faktin se në mënyrë indirekte e kontrollon buxhetin e shtetit dhe kjo i jep një fuqi të veçantë” – tha Ibrahim Memeti.

Në të njejtën vijë shprehet edhe analisti Xhelal Neziri. Sipas tij, sado simbolike të jetë si pozicion, kryeministri teknik shqiptar mund të luajë rol të rëndësishëm, në riformatimin e skenës politike dhe mënyrës së koalicionimeve në të ardhmen.

“Nëse do të kemi një kryeministër shqiptar dhe ai kryeministër performon më mirë se kryeministrat tjerë, atëherë nuk do të jetë më çështje ose material për t’i frikësuar maqedonasit se nëse një shqiptar do të vijë në ndonjë pozitë të rëndësishme shtetërore do të bëjë hata. Pra do të merret si normalitet, i cili me pastaj mund ta ndryshojë komplet skenën politike në Maqedoninë e Veriut. E kam fjalën për krijimin e koalicioneve parazgjedhore mbi baza ideologjike, jo mbi baza etnike” – tha Xhelal Neziri.

Ndërkaq, sa i përket reagimeve të VMRO-DPMNE, bashkëbiseduesit në Klan Debat theksuan se e gjithë kjo betejë politike kundër kryeministrit shqiptar, është pjesë e një strategjie politike të VMRO-DPMNE-së, për të përfituar vota nacionaliste maqedonase në zgjedhjet që po vijnë. /KlanMacedonia/