Anëtarja e jurisë së Festivalit të Këngës në RTK, Ulja Sjostrom, pak orë para se të nisë ngjarja e cila shënon edicionin e parë si pararendëse për vitet e tjera të organizimit, ka thënë se ndjehet e nderuar të jetë pjesë e jurisë, e cila do ta përzgjedhë këngën fituese të edicionit të parë të Festivalit të Këngës.
Sjostrom e ka cilësuar organizimin si madhështor, teksa ka thënë se në Kosovë ka shumë potencial dhe artistë të mirë.
“Me të vërtetë ishte befasi dhe ndjehem e nderuar sepse e kuptoj që është një organizim madhështor dhe që do të ketë shumë domethënie për të ardhmen”, është shprehur muzikantja suedeze në magazinën “Info Plus” në RTK.
Përvojën me muzikën shqipe e ka tash e disa vite për shkak të pjesëmarrjes në festivale të tjera. Ndërkaq, Sjostrom ka dhënë një mesazh për këngëtarët që synojnë ta përfaqësojnë vendin e tyre në “Eurovision”, kurdo që Kosova e fiton të drejtën e konkurrimit në garën evropiane.
“Duhet të shkruani një tekst të këngës që është autentike, në rastin tuaj duhet të jetë shqip. Pra, bëni diçka që është autentike, që keni krenari ta shfaqni, por po ashtu që mund të prek shumë zemra përmes tekstit”, ka thënë Sjostrom.