1.8 C
Skopje

Angeloski për “Politika”: “Ballkani i Hapur” është një mundësi për rritje ekonomike të rajonit

“Ballkani i Hapur” është një ide e cila do të marrë jetë, sepse i lidh ndërmarrjet e vendeve tona, ndërsa veçanërisht do të kontribuojë për përparimin e bashkëpunimit në sektorin turistik si një nga sektoret më të goditur në krizë, thotë në intervistë për gazetën serbe “Politika” kryetari i Lidhjes së Odave Ekonomike (LOE), Trajan Angeloski.

“Nuk është e logjikshme të kemi bashkëpunim të shkëlqyer ekonomik me disa vende nga Perëndimi dhe Evropa e mesme, ndërsa prodhimet tona të jenë të panjohura për fqinjët, me të cilët jemi afër dhe kemi shpenzime minimale për transport. Ekonomitë tona janë të kompletuara dhe po plotësohen. Prandaj duhet të jemi racional dhe pragmatik, t’i lëmë paragjykimet dhe të shikojmë në bashkëpunimin ekonomik që mund të na sjellë një të nesërme më të mirë”, thekson Angeloski.

Ai e thekson nevojën e qeverive në Serbi, Maqedoninë e Veriut dhe Shqipëri të hapin korridore të gjelbërta edhe për trafikun rrugor, jo vetëm për atë transportues, si dhe të përshpejtohen procedurat burokratike, sepse, siç thotë, “nuk kemi më shumë kohë për të humbur, kemi shpenzuar shumë deri tani”.

“Barrierat të cilat ekzistojnë ndikojnë negativisht në aktivitetin afarist të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme. “Ballkani i Hapur” është dashur të mundësojë nxitje në krijimin e kushteve për këto ndërmarrje që të mund të bashkëpunojnë pa vështirësi me vendet fqinje dhe në atë mënyrë t’u mundësohet zhvillim afatgjatë”, theksoi Angeloski dhe shton se ekziston potencial i madh për qasje të përbashkët në tregje të huaja në veprimtaritë e shërbimit, sepse “edhe pse ne jemi individualisht të vegjël për tregun global, qasja e përbashkët krijon mundësi më të mëdha”.

Duke u kthyer në krizën në Ukrainë, Angeloski vlerëson se “na promovon si rajon të sigurt dhe se në këtë drejtim duhet të paraqitemi më mirë, ta përmirësojmë infrastrukturën dhe të bëhemi më të qasshëm për të huajt jashtë rajonit tonë, të na njohin më mirë dhe të krijojmë kushte cilësore për jetë, punë dhe për aktivitet ekonomik”.