11/12/2024

Nënkryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Arbër Ademi ishte i ftuar në Debat në A2 CNN, ku e cilësoi si një premtim të mbajtur të subjektit që ai përfaqëson drejtimin e qeverisë maqedonase nga një shqiptar.

Ademi u shpreh se tashmë në Maqedoninë e Veriut, barrierat etnike kanë rënë, teksa nuk ka më poste të dedikuara vetëm për një komunitet.

“E dhe këtë herë e kemi mbajtur një premtim që për shumë ishte i pamundur. Ne kemi besuar gjatë gjithë kohës dhe gjatë kësaj qeverisje u arrit akordi me partnerët e koalicionit. Në 2009, Ali Ahmeti renditi institucionet që ishin caktuar vetëm për maqedonasit dhe jo për shqiptarët.

Të gjitha këto institucione tashmë janë drejtuar dhe nga shqiptarët dhe premtimi i asaj kohe ishte kryeministri dhe kryetari i Kuvendit. Me këtë hap ne shënojmë një hap të madh drejt barazisë mes komuniteteve. Nuk ka më pozicione që janë në ekskluzivitetin e një etnie. Kryeministri shqiptar është mirëpritur gjithandej”, tha Ademi.

Nënkryetari i BDI pranoi se ka ende disa qarqe nacionaliste në Maqedoninë e Veriut që nuk e pranojnë emërimin e një shqiptari në krye të qeverisë dhe shprehu keqardhjen që disa deputetët shqiptarë u bashkuan me ta dhe nuk votuan për Talat Xhaferin, në atë ditë që ai e cilësoi si një “nëntor tjetër të shqiptarisë”.

“Funksionimi i qeverisë nuk do të jetë problem edhe pse ka xhepa të rezistencës që nuk e pranojnë që në krye të qeverisë të ketë shqiptarë. Kjo lëvizje ka forcuar kohezionin shoqëror. Ka qarqe nacionaliste që nuk e kapërdijnë këtë që ka ndodhur në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut.

Dëshira jonë do të ishte që të gjithë shqiptarët të ishin në seancë. Ky ishte një nëntor tjetër për pavarësinë e shqiptarëve. Shprehim keqardhjen për disa deputetë shqiptar që nuk kanë votuar për Talat Xhaferin dhe u bashkuan me ultranacionalistët”, u shpreh Ademi.