Foli Danella, më në fund! Sikur të mos kishte do të kishte bërë më mirë! Që të mos na gënjente ne publikun, por as veten!
Rrena i ka këmbët e shkurtëra, Danella, na fal që po të themi se po rren. Ti vetëm je një politikane tipike e cila mundohet rrenën ta shesë si të vërtetë duke e kamufluar atë me lloj lloj argumenti. Sepse, e gjithë kjo me 33 punëtorët e përjashtuar, është kurorë e një historie të turpshme që vetë e nise.
Nuk është asgjë e rastit, Danella! Nuk është e rastit që e gjithë kjo ndodh atje ku ti e nise “krimin” që s’do ta pranosh. E ndërrove drejtorin e Higjienës Komunale për fajin e tjetërkujt. Asnjë gjyq, as gjyq i mirëfilltë, e as politik, nuk e bëri ekspertizën që të dëshmojë se veprimet e një familjari, janë bërë ka qenë i nxitur nga ai drejtori fatkeq. Jo, nxitja erdhi nga turma e partisë tënde, që u sul në Çarshi. Drejtori që ti e ndërrove, as ishte aty, e as e nxiti dikë. Por ti e shkarkove me nxitim.
Ky veprim në afekt, apo kushedi në ç’gjendje shpirtërore që ishte në atë moment, jo që nuk e pranove ose dhe ta korrigjosh(e njerëzishme është të pranosh gabimin dhe ta korrigjosh, por ti nuk e bëre), por më tepër, në llumin tënd u fut edhe partia që të përkrahu në zgjedhje, e cila njësoj si ti, në vend se të pranojë gabimin, arsyetoi veprimin tënd.
Në këtë situatë gjërat nuk mund të fshiheshin, ASH-ja prishi koalicionin edhe me ty edhe me partinë që të kandidoi, e ti, Danella, vure drejtoreshë të re, e cila shumë shpejtë ua tregoi “dhëmbët” shqiptarëve në ndërmarrjen ku kanë dominuar shqiptarët, si punëtorë krahu. Atyre që po të mos ishin, bërrloku i kryeqytetit do të kishte mbërritur te ballkoni i banesës tënde, Danella.
Dhe ti sot, pas një përjashtimi masiv nga puna dhe të ardhurat që i sigurojnë këta të gjorë, ti dole t’i akuzosh se s’paskan ardhur në punë rregullisht. Kujt ia tregon këtë, Danella, po ata punëtorë qe një vit prej se je ti kryetare kanë fituar bukën aty, dhe ti nuk e paske parë që “nuk vijnë” në punë, por e pe pikërisht tash, pasi u prishën marrëdhëniet me partinë shqiptare që të përkrahu naivisht në zgjedhje, që të siguroi aq vota sa ishin të mjaftueshme. Por ato ikën, apo jo, u harruan ato. Tash kur s’të duhen as votat e tyre, e as ASH-ja, mund t’ia kthesh si më zi.
Po hakmarrja ndaj ASH-së është një, Danella, e të lësh dikë pa të ardhura për shkak të hakmarrjes politike ndaj një subjekti, është krejtësisht tjetër. Kjo s’ka lidhje me asnjë argument dhe nuk mund të mbulohet me arsyetime koti si kjo që sot u mundove t’ia shesësh publikut.