15/01/2025

Deputetja, nënkryetarja e Komisionit për Çështje Evropiane dhe sekretarja për barazi gjinore e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) – Arta Bilalli – Zendeli në intervistë për portalin “Politiko.mk” – ka folur për debatin mbi Ligjin e ri për lojërat e fatit, ndryshimet kushtetuese, “Frontin për Europë”, si dhe avancimin e gruas në politik.

Ajo në intervistë thotë se Maqedonia e Veriut ndodhet në një fazë mjaft delikate sa i përket ndryshimeve kushtetuese.

“Nuk duhet që ta humbim optimizmin dhe shpresën por duhet të vazhdojmë të punojmë që të arrihet tetë-dhjetëshi i nevojshëm për ndryshimet kushtetuese. Për ndryshe në qoftë se tërhiqemi atëherë nuk bëjmë asgjë, përveçse do ta dërgojmë vendin mbrapa. Maqedonia e Veriut tani është në pako me Shqipërinë, e cila ka pothuajse të sigurt se do të vazhdojë më tej. Ne e kemi përjetuar një herë fatin e ndarjes nga Kroacia për anëtarësim në NATO, dhe pastaj u deshën plot 12 vite që ne të anëtarësohemi nga 2008 deri në 2020, pra 12 vite që ne ta mbërrinim Kroacinë dhe të uleshim në të njëjtën tavolinë me Shqipërinë për anëtarësim në NATO. Prandaj mendoj se nuk duhet që përsëri të ndahemi por të vazhdojmë më tutje me qëllim që të arrihet të hapen kapitujt përkatës së bashku me Shqipërinë”, thotë Bilalli – Zendeli në intervistë.

Sa i përket “Frontit për Europë”, ajo thekson veprimi i kësaj iniciative në të ardhmen vetëm se do të zgjerohen.

Politiko.mk: Zonja Zendeli, çfarë konkretisht parasheh ligji për lojërat e fatit?

Arta Bilalli – Zendeli: Ligji për lojërat e fatit kohëve të fundit zgjoi interes të caktuar apo interes më të madh se ligjet e tjera dhe për sa i përket dispozitave të këtij ligji risitë të cilat i përcakton ai është se të gjitha lojërat e fatit kazinot dhe bastet do të largohen në një distancë të caktuar prej 500 metrash nga objektet arsimore, ato të arsimit fillor dhe të mesëm. Pika e dytë apo risia e dytë është se do të ju pamundëson ose do t’ua vështirëson sidomos të miturve qasjen në këto objekte.

Dhe pika e tretë është që do të mundësojë më shumë të ardhura në buxhet përmes të cilave pastaj ato mjete në buxhet do të mund të investohen në kulturë, në sport, në media dhe në fusha të tjera të rëndësishme të jetës shoqërore. Si kemi ardhur deri tek kjo zgjidhje? Në fakt ky ligj ka qenë apo ka filluar si draft që nga viti 2021 dhe ka pasur mundësi për të futur elemente të ndryshme, apo për ndryshime dhe plotësime të atij ligji. Qëllimi i Qeverisë dhe ministrisë së Financave ka arritur që të konkretizohet në norma të caktuara, pas analizave të shumta që janë bërë edhe me situatën në vendet e rajonit, edhe me situatën në vendet europiane. Në fakt është konstatuar se aty ku organizohen lojëra të fatit në mënyrë të ligjshme në ato vende, zakonisht janë të larguara në distancë të caktuar, sidomos nga objektet arsimore dhe një praktikë të këtillë ne e kemi futur apo e kemi zbatuar edhe në dispozita të ligjit për organizimin e lojërave të fatit duke i larguar ato detyrimisht 500 metra nga institucionet arsimore.

Me qëllim të mbrojtjes së popullsisë gjithashtu futet edhe numri i pagesave tek bastet e licencuara, si dhe bëhet edhe kufizimi i numrit të hapësirave të automat klubeve që mund të hapen me një licencë të vetme, si dhe të futet kompenzimi shtesë për çdo pikë-pagesë të re të basteve dhe çdo hapësire të re të automat klubeve, dhe ky kompenzim i ri do të shkojë tek pika e tretë apo aty ku do të kontribuohet më shumë në buxhetin e shtetit.

Ne jemi të përcaktuar për të luftuar monopolin në çdo industri, përfshirë edhe industrinë e lojërave të fatit, sidomos pas konstatimit se këtu bëhet fjalë për njëfarë simbioze midis politikës dhe krimit të organizuar. Duke pasur parasysh se vetëm për një vit kompania e cila e ka licencën për organizimin e lojërave të fatit ka raportuar legalisht një profit apo profit prej plot 15 milion eurosh, gjë e cila tregon se është një industri jashtëzakonisht e monopolizuar dhe në situata të tregut të lirë, të ekonomisë së lirë, normalisht se si parti politike do të bëjmë çmos për të demonopolizuar çdo industri në të cilën paraqiten elemente të dyshimta.

Po ashtu një risi tjetër për sa i përket lojërave të fatit, është organizimi i tyre përmes internetit ku ka pasur vërejtje të caktuara, dhe lojërat e fatit përmes internetit sikurse edhe deri më tani do të organizohen me bashkëpjesëmarrjen e shtetit për shkak se edhe lojërat e fatit janë një industri në të cilën një pjesë e konsiderueshme e ka në mbikëqyre shteti. Me zgjidhjet e reja ligjore mundësohet liberalizimi i pjesshëm i tregut të lojërave të fatit në internet, respektivisht me bashkëpjesëmarrjen e shtetit do të mund të krijohen më shumë kompani për to. Në mungesë të direktivës konkrete ekziston një rekomandim i Bashkimit Evropian me numër 2014-478, do të thotë nga viti 2014, i cili është dokument që në hapësirën europiane rregullon funksionimin e lojërave të fatit dhe ka të bëjë me parimet e mbrojtjes të konsumatorëve dhe lojtarëve të online lojërave dhe largimin e të miturve nga bastet në internet.

Ligji për lojërat e fatit në këtë drejtim është edhe pjesë e procesit të skriningut të Maqedonisë së Veriut, respektivisht të kapitullit të katërt që ka të bëjë me lëvizjen e lirë të kapitalit. Shpresojmë se ky ligj do të sjellë efekte pozitive, ka qenë edhe një nga përcaktimet programore të Bashkimit Demokratik për Integrim të zgjedhjeve të vitit 2020. Pra shpresojmë se do të sjellë efekte pozitive sidomos në drejtim të mbrojtjes të të miturve nga varësia e lojërave të fatit, të paktën të largohen në distancë të caktuar të mos i kenë shumë afër shkollave apo institucioneve të cilat ato i vizitojnë çdo ditë.

Politiko.mk: Edhe ndryshimet kushtetuese për futjen e komunitetit bullgar në Preambulë janë në procedurë parlamentare. Opozita maqedonase bllokon, kurse ajo shqiptare kushtëzon. Pritni që të arrihet konsensus politik për këtë çështje që vendi ta tejkalojë edhe këtë pengesë të fundit në rrugën drejt BE-së?

Arta Bilalli – Zendeli: Vërtet jemi në një fazë mjaft delikate për ndryshimet kushtetuese unë personalisht po jap qëndrimin personal, jam në pritje se çdo ditë do të caktohet seanca për të votuar nevojën për miratimin e ndryshimeve kushtetuese, apo aty ku mbetëm në 18 gusht, tani duhet vetëm të votohet me 80 vota.

Mendoj se nuk duhet që ta humbim optimizmin dhe shpresën por duhet të vazhdojmë të punojmë që të arrihet tetë-dhjetëshi i nevojshëm për ndryshimet kushtetuese. Për ndryshe në qoftë se tërhiqemi atëherë nuk bëjmë asgjë, përveçse do ta dërgojmë vendin mbrapa.

Maqedonia e Veriut tani është në pako me Shqipërinë, e cila ka pothuajse të sigurt se do të vazhdojë më tej. Ne e kemi përjetuar një herë fatin e ndarjes nga Kroacia për anëtarësim në NATO, dhe pastaj u deshën plot 12 vite që ne të anëtarësohemi nga 2008 deri në 2020, pra 12 vite që ne ta mbërrinim Kroacinë dhe të uleshim në të njëjtën tavolinë me Shqipërinë për anëtarësim në NATO. Prandaj mendoj se nuk duhet që përsëri të ndahemi por të vazhdojmë më tutje me qëllim që të arrihet të hapen kapitujt përkatës së bashku me Shqipërinë.

Politiko.mk: Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti ka iniciuar nismë “Fronti për Europë”. A do ti tubojë rreth vetës kjo nismë të gjitha forcat progresive pro evropiane e pro-amerikane?

Arta Bilalli – Zendeli: Mendoj se ideja për “Frontin për Europë” ishte mjaft e qëlluar dhe erdhi pikërisht në momentin e duhur. Veçmas kanë filluar disa tubime të caktuara apo grumbullime të individëve apo deputetëve rreth këtij fronti pro Europian, dhe mendoj se veprimi i këtij fronti në të ardhmen vetëm se do të zgjerohet.

Politiko.mk: Si e vlerësoni procesin “Zhan Mone”-s për reformimin e sistemit parlamentar dhe ligjvënies në vend? A keni ndonjë propozim apo sugjerim për përmirësimin e punës së komisioneve dhe procedurave parlamentare?

Arta Bilalli – Zendeli: Rregullorja aktuale që është për kohën sa jam unë deputete më ka lënë ndonjëherë edhe shije të keqe për shkak se është dashur që të mos punojmë ose dikush ka bllokuar me një mijë amendamente ligje të ndryshme. Megjithatë mendoj se Procesi “Zhan Mone” ka arritur deri diku ta balancojë këtë mundësi për bllokadë, dhe tani jemi në fazat e fundit apo në përmbylljen e atij procesi, të premten është e përcaktuar puna apo vazhdimi i punës së Komisionit për Çështje të Mandatit Imunitetit dhe të Rregullores, dhe menjëherë pas asaj Komisioni Ligjvënës Juridik si Komisioni i Shkallës së Dytë, dhe besoj se së shpejti edhe do ta votojmë.

Tani ka edhe si mundësi të cilat ekzistojnë në rregulloren aktuale po të cilat me rregulloren e re pas punës së deputetëve në suaza të Procesit “Zhan Mone”-s së bashku me euro-deputetë të caktuar do të jenë më të balancuara apo më të amortizuara.

Politiko.mk: Zonja Zendeli, jeni edhe sekretare për barazi gjinore në BDI. Partia juaj ka avancuar rolin e gruas në politik, por si është përfaqësimi i grave në institucionet shtetërore dhe Parlament?

Arta Bilalli – Zendeli: Është një proces tek i cili nuk mundemi të vendosim shenjën e pikës të paktën deri sa do të jem unë sekretare për mundësi të barabarta. Vazhdimisht duhet që të tentojmë për të avancuar gratë në pozita të ndryshme. Ne në parlament jemi mirë, rreth 40 për qind i grupit parlamentar të Bashkimit Demokratik për Integrim janë gra edhe në raport me numrin e përgjithshëm të deputetëve, jemi një numër shumë i mirë mbi 40 për qind do me thënë më shumë se ajo që e kërkon kodi zgjedhor. Megjithatë duhet të punojmë më shumë në drejtim të vendosjes së grave edhe në pozita të tjera.

Është e vërtetë se proceset nuk mbarojnë kurrë dhe nevoja për reformim nuk mbaron kurrë, jo vetëm në vendet me demokraci në zhvillim por edhe në vendet më të zhvilluara dhe prandaj jemi këtu që të vazhdojmë me këto procese dhe në të ardhmen përfaqësimi i gruas në politikë të jetë në instanca edhe më të larta, sepse gratë vërtet meritojnë më shumë dhe ato kanë më shumë potencial më shumë se sa që mendohet.