schedule16:34 – 14 Korrik, 2022
Noizy ka paralajmëruar prej kohësh një koncert që do të jetë më i madhi që është mbajtur në Shqipëri. Në koncert, krahas artistëve shqiptarë, do të interpretojnë dhe shumë emra të huaj. Reperi ishte i ftuar në “Abc-ja e pasdites” ku zbuloi më shumë detaje rreth “Alpha Show” që do të mbahet me 14 Gusht.
Gjatë intervistës për moderatorin Ermal Peçi, reperi theksoi se reperët evropianë mezi po presin që të vijnë në Tiranë. “Falë zotit dhe marrëdhënieve të mira që kemi me repistët e Evropës, do të bashkohemi të gjithë bashkë. Unë jam habitur sepse mezi po presin të vijnë në Shqipëri.
Çuditërisht, mezi po presim që të vijnë në Tiranë. Më thonë që duam t’ju tregojmë fansave se sa respekt kemi për ju dhe ne do t’ju tregojmë shqiptarëve se sa na vlerëson bota.”, tha Noizy duke shtuar më tej se koncerti do të zgjasë rreth 5 orë dhe pritet të bëhet një dokumentar për të.
“Do të zgjasë 4-5 orë. Dyert do të hapen nga ora 6. Do të jetë spektakël më vete, është skena më e madhe që do të jetë ndonjëherë në Shqipëri. Do të filmohet me kamera të atilla që dhe pas 20 vitesh kur të shihet, do të ngjajë akoma shumë bukur. Do të bëhet dokumentar.”, tha ai. /abcnews.al