Avokati serb, Cedomir Stojkoviq ka njoftuar se sot rreth orës 09:00 të mëngjesit do të jetë në Serbi, pasi që në atë kohë ka plan të kalojë kufirin.
Këtë e ka bërë të ditur ai përmes një postimi në platformën X.
“Nga sot në orën 09:00 do të jem në Serbi. Në atë kohë kam në plan të kaloj kufirin. Në sferën e përgjegjësisë së Prokurorit të Lartë Publik në Vranjë dhe Nish, i cili do të ketë mundësinë të më arrestojë mua, si dhe Nikolla Sanduloviqin, sepse kam vendosur lule në varrin e fëmijës shtatëvjeçare Blerina Jashari”, ka shkruar Stojkoviq.
Mbrëmjen e kaluar ai ka qëndruar në Kosovë, pasi që ka vendosur lule tek varri i vajzës shtatëvjeçare të vrarë gjatë luftës së fundit në Kosovë, Blerina Jashari, ku edhe la mesazhin “Urrejtja vdes, ti jeton përgjithmonë. 1 mijë lotë për 1 mijë vjet paqe. Dhe, miliona shpresa dhe ëndrra, të cilat fillojnë me fjalën ‘Më fal’”.
“Unë erdha këtu jo vetëm për të shprehur dhimbjen për qytetarët e vrarë pas 26 vitesh. Unë erdha këtu jo vetëm për të nderuar viktimat. Unë kam ardhur këtu për të dhënë një mesazh të qartë: ne që po ndërtojmë një të ardhme më të mirë për popullin tonë, nuk kemi frikë! Nuk kemi frikë dje, nuk kemi frikë sot, dhe nuk do të kemi frikë as nesër. Askush nuk do të na pengojë të ecim në rrugën e pajtimit, paqes, solidaritetit dhe drejtësisë”, është shprehur ai.
Ndërsa ka shtuar se edhe 25 vite pas luftës së Kosovës, si dhe luftës së fundit ballkanike, Serbia arreston dhe rrah njerëz që duke vendosur lule mbi varret e fëmijëve shqiptarë, duan pajtimin mes kombeve./21Media