Njohësi i çështjeve
politike në vend, Mazllum Baraliu, konsideron se ftesa e kryeministrit Albin
Kurti, drejtuar krerëve opozitarë për t’i informuar për takimin e fundit që
pati në Bruksel për çështjen e dialogut, është i drejtë dhe si i tillë duhet të
ndodh.
Baraliu për
Ekonomia Online, tha se duke mos pasur praktikë të tillë të takimit
pozitë-opozita, ftesës duhet t’i përgjigjen pozitivisht.
Sipas tij, në këtë
fazë vendit i duhet unitet për të
vazhduar dialogun me Serbinë, madje thotë se është rritur edhe presioni
ndërkombëtar në këtë drejtim.
“Kryeministri pa
dyshim dhe ka bërë mirë që i ka ftuar dhe do të ishte mirë që të kenë një
vetëdije çfarë duhet ta kenë, dhe për çfarëdo teke të tyre personale apo
politike të i përgjigjen dialogut dhe të jenë të informuar por edhe të japin
kontributin e tyre, sepse Kosova tani duhet të ketë një qëndrim unik, asnjëherë
nuk është arritur, fatkeqësisht pozitë dhe opozitë nuk kanë arritur t’i
koordinojnë veprimet ndaj Serbisë dhe bashkësisë ndërkombëtare dhe tani është
momenti që të bashkohen”, tha ai.
“Duke e ditur që
tani është momenti përfundimtar për arsye se presioni i bashkësisë ndërkombëtare
është i jashtëzakonshëm ndaj Prishtinës, dhe duke e ditur që në një mënyrë apo
tjetrën disa përfaqësues të rëndësishëm ndërkombëtar kanë ndërruar qëndrime”.
“Fillimisht thonin
se nuk duhet të ketë Asociacion jashtë kornizave kushtetuese dhe tani thonë se
domosdo duhet të jetë i formuar dhe ndaj Prishtinës po bëhet një presion i madh
edhe ashtu ia ka imponuar me takime të shpeshta me presidentin Vuçiq”, tha ai.
Kryeministri Albin
Kurti i ka ftuar për takim, kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqin, kryetarin e
LDK-së, Lumir Abdixhiku dhe kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinajn.
Kurti do t’i presë
tre liderët opozitarë të martën në zyrën e tij në Qeveri.