10/12/2024

Dita e mirë shihet në mëngjes!

Bashkimi Demokratik për Integrim është e kënaqur dhe mirënjohëse për jehonën masive të qytetarëve në mbështetje të kandidaturës së Dr. Bujar Osmanit për President të vendit tonë.

Nga dje, Dr. Bujar Osmani është kandidati i parë dhe aktualisht i vetmi zyrtar për President për zgjedhjet e 24 prillit.

Mbledhja e nënshkrimeve u zhvillua sipas dinamikës së pritur të Shtabit Zgjedhor Republikan dhe pas përfundimit me sukses të procesit, BDI dhe Dr. Bujar Osmani do të fokusohet në prezantimin e ideve tona para qytetarëve, të cilat jemi të bindur se do të pranohen dhe mbështeten.

Siç e di tashmë opinioni, ideja progresive e liderit Ali Ahmeti është që Presidenti i vendit të zgjidhet në Kuvend me 2/3 e votave dhe me Badenter.

Një shumicë prej dy të tretash për të siguruar konsensus shoqëror, mbipartiak me mbi 80 vota në Kuvend.

Ndërsa me shumicën e Badenterit të sigurohet konsensusi etnik për të parandaluar mbivotimin etnik dhe imponimin e vullnetit vetëm të dy partive më të mëdha politike maqedonase.

Kjo do të mundësojë një President me legjitimitet të plotë, kursim prej mbi 20 milionë euro në shtet, dhjetëra mijëra qytetarë do të kursehen nga procesi i mbledhjes së nënshkrimeve, të gjithë qytetarët do të kursehen nga fushata dhe pjesëmarrja në zgjedhje për një funksion protokollar.

Ideja rrjedh që nga viti 2009, kur lideri Ali Ahmeti në Kongresin e Dytë Zgjedhor të Bashkimit Demokratik për Integrim në Shkup, numëroi 12 pozita, atëherë të paarritshme për shqiptarët, duke përfshirë edhe Presidentin e vendit.

Që atëherë, këtë ide progresive e kemi në të gjitha programet tona zgjedhore dhe po e realizojmë hap pas hapi.

Na duhet të gjitha votat, si të shqiptarëve, ashtu edhe të maqedonasve dhe të gjithë të tjerëve, për të mundësuar ndryshimin e Kushtetutës, në të njëjtën kohë edhe për zgjedhjen e Presidentit edhe për amandamentet kushtetuese që dalin nga Marrëveshja e Fqinjësisë së Mirë për të vazhduar me vendosshmëri drejt Bashkimit Europian.

Qytetarët duhet të përqëndrojnë votën e tyre tek partia më e fortë shqiptare për të arritur qëllimin dhe për të ndalur Rusinë dhe ndikimin rus që ka përfshirë ekonominë tonë, infrastrukturën kritike, partitë politike, mediat, komunitetet fetare, shoqërinë civile dhe synon të destabilizojë shoqërinë tone të brishtë multi-etnike, multi-fetare dhe multi-kulturore për të promovuar një efekt domino në të gjithë rajonin.