18/01/2025

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti përmes një statusi në rrjetin social Facebook ka përgëzuar të gjitha sekretariatët e degës së Bashkimit Demokratik për Integrim në Çair për promovimin e 40 projekteve me interes publik.

Ahmeti shkruan se ngjarja e sotme promovuese dëshmoi se BDI ka kuadro kualitative që hartojnë dhe realizojnë projekte të rëndësishme dhe japin kontributin e tyre në shoqëri.

Ndër të tjera Ahmeti potencon se çdo pune progresive na afron drejt standardeve europiane.

Statusi i plotë:

Përgëzova sot të gjitha sekretariatet në kuadër të degës së Bashkimit Demokratik për Integrim në Çair dhe anëtarësinë e saj të kryesuar nga kryetari i degës, Bekim Neziri për 40 projektet e hartuara nga sfera të ndryshme shoqërore, një mënyrë kreative dhe efikase për të qenë në shërbim të nevojave të qytetarëve.
Ky nivel organizimi dhe funksionimi, gjithë ky potencial i vendosur në veprim dëshmon kapacitetin kadrovik të Bashkimit Demokratik për Integrim, si organizatë e etabluar mbi vlera dhe ideale përparimtare, shtëpi që mban të hapur krahun për këdo që ka qëllime të sinqerta kontributi për të mirën e përgjithshme.
Themelet e organizatës sonë janë në gjakun e derdhur të dëshmorëve dhe në amanetin e tyre për ruajtjen e dinjitetit tonë kombëtar.
Kështu me punë e objektiva të qarta progresive do të vazhdojnë të qëndrojnë të pathyera ato themele që çdoherë kanë pasur në epiqendër të arriturat kombëtare, jetën cilësore dhe vlerat europiane. Kështu edhe rruga jonë drejt Europës do të jetë më e lehtë!
Bashkë drejt shtigjeve të përparimit!