Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), ka vlerësuar se protestat e dhunshme të këtyre ditëve janë pasqyrim objektiv i tendencave për dezorientimin e vendit nga rruga evropiane, demaskim i qartë i forcave regresive që nuk kursejnë mjetet për të penguar vendin në realizimin e ëndrrës së integrimit.
“Në çastet vendimtare për të mirën e vendit dhe qytetarëve, BDI bashkë me partnerët e koalicionit është fuqishëm e pozicionuar në taborin pa alternativë tjetër për stabilitetin dhe progresin e vendit, atë të partneritetit me Bashkimin Europian dhe SHBA-n. Çdo shprehje e dhunës nuk mund të frikësojë qytetarët, me të cilët bashkë në këto dy dekada ndërtuam themelet e një shoqërie të shëndoshë përmes Marrëveshjes së Ohrit të barazisë dhe respektit të ndërsjellët, Marrëveshjes së Prespës që na hapi dyert e NATO-s, zgjidhjes së kontestit për autoqefalinë e kishës ortodokse të vendit”, thonë nga BDI.
Sipas tyre, sot jemi para sfidës a jemi pro Bashkimit Europian a po jemi kundër dhe protestat e qartësuan këtë tashmë.
Nga atje kanë shtuar se një grup i partive regresive që ishin kundër çdo progresi vazhdojnë t’i qëndrojnë besnike politikave në thelb antievropiane, anti-NATO anti-bashkëjetesë dhe po përdorin çdo mekanizëm, atë të dhunës dhe propagandës duke krijuar konfuzion dhe përshtypje të rrejshme për propozimin francez të zhbllokimit të rrugës sonë evropiane.
“Pas gjithë atyre sakrificave dhe skepticizmit të mposhtur përmes arritjeve të mëdha, Bashkimi Demokratik për Integrim apelon deri te të gjithë qytetarët që të rreshtohen në taborrin progresiv dhe pro europian, pasi propozimi të cilit i qëndrojnë pas 27 vendet e BE-së nuk cenon dinjitetin dhe identitetin gjuhësor, kulturor dhe historik të tyre. Është koha të qëndrojmë bashkë për triumfin e kauzës së drejtë të integrimit të vendit në BE!”, kanë përfunduar nga BDI.