24/02/2024

Nga Bashkimit Demokratik për Integrim kanë reaguar për ngjarjet e fundit në Klinikën e Onkologjisë në Shkup.

Përmes një komunikate për media, nga BDI thonë se i gjithë rasti duhet të zbardhet në tërësi dhe personat e involvuar në proces të dalin para drejtësisë.

Komunikata e plotë:

Bashkimi Demokratik për Integrim me shqetësim të madh po i ndjek zhvillimet rreth dyshimeve për keqpërdorime në Klinikën e Onkologjisë.

Bashkimi Demokratik për Integrim kërkon që institucionet kompetente, në veçanti prokuroria, urgjentisht dhe detajisht të hetojnë të gjitha pretendimet për keqpërdorime të rënda mbi jetën dhe shëndetin e pacientëve.

BDI përkrah tërësisht aksionin e realizuar ditë më parë nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe Prokuroria dhe fton institucionet që hetime të tilla të zhvillohen edhe në klinikat dhe institucionet tjera.

Këto pretendime përfshijnë njerëz të involvuar ndër vite dhe ndër administrata, prandaj partitë politike duhet të qëndrojnë larg nga hetimet dhe mos t’i kompromitojnë ato, por t’i përkrahin pa rezervë.

Bashkimi Demokratik për Integrim kërkon që personat përgjegjës të dalin para drejtësisë dhe mos të keqpërdoret për qëllime politike në momentin që vendi gjendet para një tjetër sfide të rëndësishme.

BDI gjithashtu apelon që mos të linçohet i tërë personeli mjekësor të cilët janë në krye të detyrës dhe shpëtojnë jetë çdo ditë.