Bordi Evropian për Mbrojtjen e të Dhënave ka nxjerrë vendim detyrues që ndalon Metan, kompaninë që ka në pronësi Facebookun dhe Instagram, të përdorë të dhënat personale të përdoruesve që atyre t’iu shfaqen reklama të caktuara.
“Urdhri prezanton ndalim të përpunimit të të dhënave personale për reklamat mbi baza ligjore të kontratës dhe interesit legjitim në të gjithë zonën ekonomike evropiane”, ka thënë Bordi Evropian për Mbrojtjen e të Dhënave (EDPB), raporton France 24.
Urdhri vjen pasi Meta bëri të ditur se përdoruesit e Facebookut dhe Instagramit në Evropë do të mund të paguajnë për të mos iu shfaqur asnjë reklamë.
Vendimi i EDPB-së detyron rregullatorin e të dhënave të Irlandës, i cili ka juridiksion mbi operacionet e Metas në Evropë, të ndërmarrë veprimet përfundimtare për këtë çështje brenda dy javësh, me ndalimin që hyn në fuqi shtatë ditë më vonë.