Mbahet sot seanca gjyqësore ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha, i cili ndodhet nën hetim për korrupsion pasiv për çështjen e privatizimit të ish-kompleksit Partizani. Mësohet se seanca për ish-kryeministrin është vendosur për në orën 14:30.
Seanca e djeshme për Berishën u ndërpre, pasi mbrojtja e tij ka kërkuar kohë të njihet me aktet.
Teksa ish-kryeministri Sali Berisha ka refuzuar të paraqitet në GJKKO për t’u marrë në pyetje, ai u përfaqësua nga dy avokatë, Genci Gjokutaj dhe Sokol Mengjezin.
Berisha zgjodhi të mbajë një konferencë me gazetarët në orarin e caktuar nga GJKKO për marrjen në pyetje të ish-kryeministrit lidhur me privatizimin e ish-kompleksit sportiv Partizani.
Kujtojmë se dje Gjokutaj u shpreh se në momentin kur Berisha nuk ka marrë vendim për procesin ligjor ndaj tij, ai nuk është pjesë e procesit, ndërsa theksoi se në emër të tij kishte kallëzuar gjyqtaren Irena Gjoka.
“Ky është proces i parregullt ligjor. Në momentin kur zoti Berisha nuk ka marrë vendim, nuk është pjesë e procesit. Këtë ngërç procedural duhet ta zgjidhë gjykata. Duhet ta zgjidh organi i procedurës, ata që e bën”, tha ai.
(BalkanWeb)