27/03/2025

Pak orë pasi iu vendos masa detyrim paraqitjeje, Sali Berisha deklaroi se nuk do të paraqitet në SPAK të hënën e parë dhe të tretë të çdo muaji për të zbatuar vendimin e dhënë ndaj tij nga gjykata e posaçme për akuzën e korrupsionit pasiv me privatizimin e kompleksit “Partizani”.

Masa u komunikua pas një sage dorëheqjesh të 5 avokatëve, të cilët edhe pse morën kohë për t’u njohur me dosjen, më pas refuzuan ta marrin përsipër.

Data e parë kur Berisha duhet të shkojë aty, sipas vendimit të gjykatës, është ora 10.00 e datës 6 nëntor. Në rast të mungesës siç ka paralajmëruar, prokurorit i lind e drejta të veprojë me zëvendësimin e masës “detyrim paraqitjeje e ndalim daljeje jashtë shtetit” me një masë tjetër më të rëndë. Megjithatë para këtij veprimi, mund të përsëritet edhe njëherë njoftimi për Sali Berishën se duhet të paraqitet në kohën e përcaktuar nga vendimi i gjykatës.

Mosparaqitja edhe pas këtij njoftimi, i vendos prokurorët para dy opsioneve. I pari, të kërkojnë një masë tjetër sigurie, më të rëndë se ajo që nuk po ekzekutohet, “arrest shtëpie” ose “arrest me burg”, por për të dyja këto, duhet të kërkohet autorizim nga Parlamenti.

Për masën “arrest në burg”, ka një pengesë ligjore që lidhet me moshën e Sali Berishës mbi 70 vjeç. Ndërkohë masa arrest shtëpie, nuk ka kufizim moshe. Skenari i dytë është që prokurorët të vendosin vijimin e procedimit me këtë masë që është në fuqi, duke administruar deklaratat ku Berisha verbalisht pranon se ka marrë dijeni për masën.

Sali Berisha akuzohet se ka përshtatur ligje në mënyrë që dhëndri i tij, Jamarbër Maltezi, të përfitojë shuma të mëdha nga privatizimi i ish-klubit sportiv “Partizani”.