Presidenti Joe Biden i ka dërguar një mesazh udhëheqësit suprem iranian, Ajatollah Ali Khamenei, ku paralajmëron Teheranin që të mos vërë në shënjestër personelin amerikan në Lindjen e Mesme, tha Shtëpia e Bardhë të enjten pas një vale sulmesh ndaj forcave amerikane në rajon.
“U dërgua një mesazh i drejtpërdrejtë,” u tha gazetarëve zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, John Kirby në një konferencë shtypi, por pa dhënë hollësi të mëtejshme.
Mesazhi përbën një rast të rrallë që presidenti amerikan i drejtohet drejtpërdrejt udhëheqësit suprem të Iranit.
Misioni i Iranit në Kombet e Bashkuara nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment.
Zyrtarët amerikanë po bëjnë përpjekje për të shmangur zgjerimin e konfliktit në Lindjen e Mesme pas sulmit të grupit militant Hamas ndaj Izraelit më 7 tetor që shkaktoi vdekjen e të paktën 1400 personave, kryesisht civilë.
Rreth 900 trupa shtesë amerikane janë nisur drejt rajonit ose kanë mbërritur atje për të forcuar mbrojtjen ajrore për të mbrojtur personelin amerikan mes një vale në rritje të sulmeve nga grupet e lidhura me Iranin, tha Pentagoni duke shtuar se trupat amerikane janë sulmuar të paktën 12 herë në Irak dhe katër herë në Siri gjatë javës së kaluar.
Të mërkurën, Biden tha se kishte paralajmëruar ajatollahun se Shtetet e Bashkuara do të kundërpërgjigjeshin nëse forcat amerikane vazhdojnë të vihen në shënjestër, por nuk tha se në ç’mënyrë ishte dërguar ky mesazh./VOA