11/12/2024

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, tha të enjten vonë se Izraeli e ka “tepruar” në fushatën e tij ushtarake në Rripin e Gazës dhe shtoi se është duke punuar me këmbëngulësi për t’i shtyrë Izraelin dhe Hamasin të pajtohen për nja armëpushim afatgjatë.

“Unë jam i mendimit, siç e dini, se [Izraeli] e ka tepruar në përgjigjen e tij në Rripin e Gazës”, tha Biden për gazetarë në Shtëpinë e Bardhë të enjten.

Shtetet e Bashkuara e cilësojnë Hamasin organizatë terroriste.
Këto janë ndër kritikat më të ashpra publike që Bideni ia ka bërë deri më sot Qeverisë së kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, dhe vijnë pas rritjes së trysnisë së brendshme për ta bindur Izraelin t’i ndalë sulmet.

Së paku nëntë njerëz, përfshirë fëmijë dhe gra, u vranë nga sulmet ajrore izraelite gjatë natës dhe mëngjesit të së premtes në qendër të Rripit të Gazës dhe në qytetin jugor, Rafah, i cili ndodhet në kufi me Egjiptin, thanë dëshmitarët dhe zyrtarët spitalorë, raporton Associated Press.

Më shumë se gjysma e popullsisë së Gazës prej 2.3 milionë banorë është detyruar të zhvendoset në kufi me Egjiptin si pasojë e ofensivës ushtarake të Izraelit. Duke mos qenë në gjendje të ikin nga territori i vogël palestinez, shumë prej tyre po jetojnë në tenda të improvizuara, apo në strehimore të mbipopulluara të Kombeve të Bashkuara.

Palestinezët e Gazës shpresojnë dëshpërimisht se një armëpushim mund të arrihet në kohë për ta shmangur një sulm të mundshëm izraelit në Rafah.

Por, Netanyahu thotë se Izraeli do të vazhdojë të luftojë derisa ta arrijë një “fitore të plotë” kundër Hamasit.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, ka thënë se Shtetet e Bashkuara nuk do ta përkrahnin një sulm në Rafah dhe se sulmi atje do të ishte një “katastrofë”.

Numri i palestinezëve të vrarë nga kjo luftë katërmujore në Gazë ka arritur në 27.840, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë. Ndërsa, një çerek i banorëve të Gazës vuajnë nga uria.

Lufta nisi më 7 tetor, kur militantët e Hamasit u futën në qytetet jugore të Izraelit dhe kryen një sulm befasues, duke i vrarë 1.200 njerëz, kryesisht civilë, dhe i rrëmbyen 250 të tjerë.

Hamasi po i mban ende mbi 130 pengje, por rreth 30 prej tyre besohet se kanë vdekur./REL