20/07/2024

Premtimet për rikonstruimin e stadiumit të Tetovës nuk kanë të ndalur. Zotimi më i fundit i kryetarit të Komunës së Tetovës, Bilall Kasamit është se brenda dhjetë ditëve do të shpallet tenderi dhe më pas të vijohet me procedurat tjera, shkruan Portalb.mk.

Kasami theksoi se janë në fazën përfundimtare të përcaktimit të detajeve dhe pret që brenda dhjetë ditëve të shpallet tenderi.

“Sot (25.10.2023) kam pasur takimin e fundit me përfaqësues të kompanisë Ecolog për të përcaktuar detajet e fundit, për shkak se bëhet fjalë për rikonstruim të një objekti të ndërtuar para dyzet viteve, bëhet fjalë për një objekt infrastrukturor i cili duhet tu shërbejë diku gati 10 mijë banorë, askush nuk e merr përgjegjësinë për realizimin e një projekti i cili nesër mund të paraqitet rrezik për jetën e qytetarëve, pra jemi në përfundim të detajeve. Fatkeqësisht deri tani nuk ka pasur projekt konkret në bazë të cilit ne do të mund të vazhdonim më tutje procedurat. Pra jemi në fazën e definimit të të gjitha detajeve që sa më shpejt të bëhet shpallja e tenderit ku çdo firmë, kompani, biznes do mund të paraqitet. Unë besoj se jo më larg se dhjetë ditë do të bëhet shpallja”, deklaroi Kasami.

Nga ana tjetër, tifozët e klubit futbollistik “Shkëndija”, Ballistët i kanë humbur shpresat për stadiumin”

“Sot po festojmë 7 vjetorin e premtimit të stadiumit europian në Tetovë !!! Si duket do të festojmë edhe 7 vite të tjera”, shkruan Ballistët në faqen e tyre në Facebook para pak ditëve.

I pyetur për këtë reagim të Ballistëve, Kasami deklaroi si vijon:

“Atë që e kemi premtuar i qëndrojmë deri në fund, Tetova do të ketë stadium modern që do i plotësojë standardet më të larta të UEFA-s. Me këtë stadium do të luhen jo vetëm lojëra të Shkëndijës por lojëra të rangut më të lartë por edhe lojëra ndërkombëtare. Le të më kritikojnë për punët që i bëjmë, nuk do të kisha toleruar për punët që nuk i bëjmë.”

Portalb.mk në të kaluarën disa herë ka kërkuar qëndrim nga kompania “Ecolog” në lidhje me stadiumin, por pa marrë përgjigje nga atje.

Në muajin korrik kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami paralajmëroi se tenderi për rikonstruimin e stadiumit të qytetit pritet të shpallet në shtator apo tetor.

Paraprakisht, Kasami në muajin maj theksoi se vjeshta ishte afati i pritshëm për fillimin e punimeve, por aso kohe pa dhënë detaje.

Ndërkaq, edhe vitin e kaluar disa herë Kasami përmendi se pritej të kishte zgjidhje brenda atij viti, por kjo nuk ndodhi.

Rikonstruimin e stadiumit kryetari aktual i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami e përmendi edhe në debatet parazgjedhore.

Rikujtojmë që edhe kryetarja paraprake, Teuta Arifi për rikonstruimin e stadiumit bëri një maratonë premtimesh, në vitin 2013, më pas në vitin 2017 si dhe përsëri në vitin 2021, por kjo nuk u realizua në terren.

Përndryshe, stadiumi i Tetovës është në gjendje të shkatërruar dhe nuk plotëson standardet e UEFA-s, skuadra tetovare “Shkëndija” ndeshjet evropiane i luan në Shkup.