11/12/2024

Shkruan: indeks.mk

“Komuna është e ngulfatur në borxhe”, ky ishte arsyetimi që Bilall Kasami e jepte para qytetarëve të Tetovës, pasi e mori mandatin dhe kishte filluar të dështonte në realizimin e projekteve kapitale e “famoze” të premtuara gjatë fushatës.

Me arsyetimin e borxhit, Kasami e “hëngri” jeshil një vit e më tepër, pasi harroi borxhin, Kasami lidhi koalicion me VMRO-në e Mickoskit në Këshillin Komunal, po edhe në nivele më të larta, saqë koordinoheshin për veprimet e tyre, jo vetëm në komunë, por dhe në Parlament, gjithnjë duke ndjekur qëllimet destruktive të ”partnerit strstegjik”.

Takimet me Mickoskin ishin shumë të shpeshta dhe publike, biles, ishte vetë kreu i VMRO-së që e vizitoi Kasamin në Komunën e Tetovës, pasi ky i fundit, prishi koalicionin që kishte me LSDM-në e Zoran Zaevit, koalicion falë të cilit fitoi edhe ulëse në parlament. Një bukëpërmbysës tipik që s’di ç’është falënderimi!

Pas takimeve me Mickoskin, Kasami filloi takime të shpeshta edhe me kreun e Studeniçanit, Azem Sadiki. Pas takimeve me këtë të fundit, Kasami filloi veprimin dhe realizimin e disa rrugëve të lëna nga udhëheqësia e kaluar.

Si duket në këto fillime të Kasamit, ndikoi pikërisht Sadiki, që përdor të njëjtën mënyrë të punës në Komunën e Studeniçanit.

Kasami mori “recetën” e Sadikit dhe në vazhdimsi, sot promovon dhe nesër të njëjtën rrugë e rikonstruon, shembull rruga 108-të e promovuar ditë më parë.

E pas asfaltimit të disa rrugëve në Tetovë, gjysma e më tepër të lëna gati nga udhëheqësia e kaluar, Kasamit i’u rrit mendja dhe priti në takim në Vicë kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe foli për një projekt që s’ka të bëjë fare me ingerencat e Komunës.

Pas takimit me Kurtin, Kasami është “mbi mjegulla” dhe mendon se duke kopjuar Azem Sadikin me shtrimin e rrugëve me asfalt e kuba bekatoni, do të bëhet si kryeministri i Republikës së Kosovës, mirëpo të gjithë e dijmë se sa është patriot Kasami (të njohura janë dilemat e tij rreth identitetit të tij kombëtar e fetar në një debat televiziv ku gati se belbëzonte!) e për ecejaket politike të paprincipta as që ka nevojë të flitet, njëherë shkoi me LSDM-në për t’u bërë parti parlamebtare, e tash me VMRO-në dhe me këto veprime konstatojmë se ai më shumë është bërë një kopje e zbehtë e Azemit të Studeniçanit se sa e Albinit të Kosovës!