Deputetja nga radhët e Bashkimit Demokratik për Integrim, Arta Bilalli-Zendeli, e ftuar në emisionin 3D me Alban Dudushin në Radio Televizionin Shqiptar deklaroi se me zgjedhjen e Talat Xhaferit si kryeministër në Maqedoninë e Veriut u pa se edhe raportet ndëretnike kanë përparuar dhe populli nuk ka pasur ndonjë moment pakënaqësie apo eskalimi.
Deputetja theksoi se pavarësisht se tashmë posti i kryeministrit kryesohet nga një shqiptar, shteti i Maqedonisë së Veriut është i të gjithëve, pavarësisht retorikës përçarëse që promovon opozita maqedonase.
“28 janari kaloi në qetësi dhe kjo ishte diçka pozitive sepse nuk pati asnjë protestë, as ndonjë moment eskalimi apo pakënaqësi qytetare, ndaj nëse e krahasojmë këtë rast me rastet paraprake kur ka pasur zhurmë e jostabilitet për një shqiptar që merr një pozitë të rëndësishme shtetërore ne lirisht mund të themi se kemi pasur një përparim të kohezionit ndëretnik në Maqedoni. Me kryeministrin shqiptar të gjithë janë të barabartë, as në nuk jemi qiraxhinjë në Maqedoni mirëpo as maqedonasit nuk janë qiraxhi, pavarësisht deklaratave që po i dëgjojmë nga Antonio Milloshovski i opozitares VMRO-DPMNE”, deklaroi Bilalli-Zendeli. /indeks.mk