14/04/2024

Në një prononcim për Indeks mk, deputetja e BDI-së, Arta Bilali Zendeli, foli për propozim ligjin që synon të sjellë ndryshim të thellë në ligjin për arsimin e lartë. Tha se nismës së deputetëve të BDI-së për ndryshimin e ligjit, i janë bashkëngjitur edhe grupet e tjera parlamentare. Shton se propozim-ndryshimi i ligjit, ka për qëllim të harmonizojë pagat e të gjithë punonjësve të arsimit të lartë, nga stafi akademik deri te ai teknik.

“Është një propozim ligj për ndryshimin e ligjit për arsimit të lartë dhe më vjen mirë që pas iniciativës së grupit parlamentarë të Bashkimit Demokratik për Integrim po i bashkëngjiten edhe deputetë nga grupet e tjera parlamentare. Ka të bëjë me harmonizimin e pagave në arsimin e artë të të gjithë të punësuarve, duke u nisur nga stafi akademik, profesorët e rregullt, profesorët inordinarë, docentët, bashkëpuntorët, e deri te stafi administrativ dhe stafi teknik. Ky ligj faktikisht harmonizohet me marrëveshjen kolektive e cila hyri në fuqi e nënshkruar mes Kuvendit si themelues i “Shën Kirilit dhe Matodit” dhe vetë universitetit me pjesën që ka të bëjë me pagat”, tha Zendeli.

Ajo theksoi se me këtë propozim, pagat do të bëhen të barabarta në të gjitha universitetet shtetërore, duke eliminuar dallimet ekzistuese dhe duke krijuar një sistem më të drejtë dhe të qëndrueshëm të kompensimit për punonjësit.

“Faktikisht pagat e komplet stafit do të jenë të harmonizuara, nuk do të ketë më dallime midis universiteteve, ndonjë me paga më të larta e disa më të ulëta , duke futur koficiente përkatëse varësisht nga titulli akademik, dhe nga pozita administrative të cilën e ka stafi administrativ dhe ai teknik. Pra koficienti i caktuar i cili do të shumëzohet me rrogën minimale dhe do të arrihet që shteti të financojë në mënyrë të njëjtë komplet rrogën e të punësuarve në arsimin e lartë. Bëhet fjalë për Institucione të arsimit të lartë që janë me financim publik që janë universitete shtetërore, duke përfshirë këtu Universitetetin e Tetovës, Universitetin Nënë Tereza, Universitetin e Shtipit, atë të Ohrit, dhe Universitetin Shën Klimenti i Ohrit në Manastir”, tha Zendeli.