Hakan Calhanoglu bën një rrëfim 360 gradë. Nga bashkimi me skuadrën zikaltër te frymëzimi i tij futbollistik dhe stili i veçantë i lojës, turku flet për mënyrën sesi fitoi zemrat e tifozëve të Interit. Calhanoglu nuk ishte banal në deklaratat e tij, teksa në fillim të intervistës, kur iu kërkua të rendiste “regjisorët” më të mirë në Evropë, u përgjigj:
“Enzo Fernandez është i pesti, Kimmich i katërti, Kroos i treti, Rodri i dyti, unë i pari. Pse unë jam më i miri? Sepse golat që shënoj unë nuk i realizojnë dot të tjerët. Po t’iu hedhësh një sy statistikave, unë nuk shënoj kurrë nga afërsia, por nga 25-30 metra, apo nga goditja e lirë. Këto janë gjëra të vështira.
Pastaj të gjithë janë të mirë në menaxhimin e lojës, por mua nuk më pëlqen të bëj pasime 5 metra larg. Gjithmonë kërkoj pasimin e fundit për të rritur mundësinë e shënimit. Kjo nuk do të thotë që nuk duhet të përmirësohem, sepse tani kundërshtarët do të përpiqen të më markojnë një kundër një, si në pjesën e parë në Romë, kur isha në vështirësi.
Me Barella dhe Mkhitaryan, që më ndihmojnë, gjithmonë do të kem sukses. Jam përmirësuar në fazën e mbrojtjes, por ende duhet të përparoj. Duke analizuar videot me stafin e Inzaghit, vërej se ende bëj gabime.
Te Milani, kur më kërkuan të bëhesha “regjisor”, nuk isha gati, ndërsa tek Interi thashë menjëherë ‘po’, sepse doja të provoja veten. Kur je në moshën e duhur, ndryshimi i roleve të rëndon më pak”. Më pas, duke folur për idhullin e tij, turku zbuloi:
“Pirlo ka qenë gjithmonë idhulli im, e njoh mirë. Më pëlqeu mënyra se si luajti, qëndrimi i tij i qetë në fushë. Ai nuk e ndjente presionin, më kujtohet ‘luga’ ndaj Hart në ‘Euro 2012’. Pirlo është idhulli im, numri një”.
Calhanoglu tregon edhe objektivat sezonalë: “Të fitojmë yllin e dytë para Milanit? Nuk e shikoj këtë detaj. Secili shikon punën e tij, edhe ne këtë bëjmë, pastaj do të shohim se çfarë do të ndodhë. Liga e Kampionëve? Ne luftojmë për gjithçka. Interi ka gjithmonë një objektiv: të bëjë mirë në të gjitha garat ku merr pjesë.
Turku nuk i kursen komplimentet për Inzaghin: “Më kërkoi t’i bashkohesha Interit pas Kampionatit Evropian dhe e falënderoj. Më pas më vendosi në atë rol. Inzaghi është një person që nuk flet shumë, por ka zemër të madhe për lojtarët. Ai meriton shumë, di si të sillet. Nëse shikojmë rrugën tonë që nga viti i parë, kemi pasur një rritje të madhe së bashku, edhe ne lojtarët e dimë këtë”.