12/10/2024

Dikush thotë se rasti është “kryeçështja” e botës, ndërkaq në teoritë filosofike ndërlidhen shpesh dhe kundërshtohen “rastësia” dhe “jo rastësia”.

Që domethënë, proceset nuk janë përherë sipas shkak-pasojës, që do të ishin gjëra jo të rastësishme, por ecin përmes një lëvizjeje evolutive, ndërkaq teoritë e rastësisë, hedhin poshtë shkak-pasojën, që domethënë, shpesh ndodhin krejtësisht rastësisht!

Diku këtu me filozofët, ndërlidhen konspiracionistët. Për këta të fundit, asgjë nuk është e rastit!

E, po na u kujtuan këto gjëra, ndoshta dhe për arsye banale, sepse “jorastësitë” më të mëdha duket sikur ndodhin në politikë. Episodi më i fundit është ky që përderisa gjithë bota shqiptare supozonte hapat e ardhshëm të kryetarit të Aleancës për Shqiptarët, dilema nuk kishte vetëm ish-aleati politik i tij, me gjasë edhe i ardhshmi, Hristijan Mickoski, i cili para se ta merrte vendimin Taravari, e dinte se nga do të shkonte!

Ç’është ky besim kaq i madh që përderisa as anëtarësia e ASH-së nuk dinte çka do të bëjë, këtë e dinte Mickoski.

Përderisa as organet partiake, siç është Kuvendi, nuk kishin njoftim nga kryetari i tyre, këtë e dinte Mickoski.

Përderisa as anëtarësia, as Kuvendi, as bashkëpartiaku më i ngushtë, Zijadin Sela, i cili ia la trashëgim drejtimin e partisë, nuk e kishin atë privilegj që ta dinin, për të mos thënë, dhe ta miratonin ose verifikonin vendimin e mbajtur fshehur nga Taravari(u bë edhe ai “One man show!”), këtë e paska ditur Mickoski!

A do të thotë vallë se Taravari më shumë ka besim te ish-koalicionisti për rrëzimin e qeverisë dhe të zgjedhjeve lokale, se sa te bashkëpartiakët e vet.

Është bërë si këta tinejxherët e facebookut e tik-tokut, të cilët, për një për dy, hop, japin diçka interesante në rrjetet sociale! Edhe Taravari vendimin nuk e mori në organet partiake, por e shpalli në facebook. Kështu kishin mbetur gojëhapur shumë bashkëpartiakë.

Vendimi i tij tash e ka futur në telashe ASH-në, sepse kur qe formuar si antipod i PDSH-së, qëllimi ishte krijimi i një partie moderne ku respektohet mendimi i anëtarësisë dhe organeve partiake, por si duket Taravari prej se e mori timonin e partisë, po vepron ndryshe.

Kjo ndryshe, shumëkush e quan “sulltan-parti”, ku kryetari vetë vendos e vetë vulos!