11/10/2024

Dy persona janë plagosur në Pollog nga të shtënat me armë zjarri në ahengje familjare     që nga nisja e këtij sezoni. Një në Çellopek të Tetovës dhe tjetri në fshatin Çegran të Gostivarit. Zëdhënësi i sektorit për punë të brendshme Tetovë zbulon se rastet janë plagosje nga plumbat qorr.

“Siç e filluam sezonin nuk kishim raste. Dy rastet e fundit, njëri në Çegran një zonjë duke qëndruar në oborrin e shtëpisë së saj pësoi lëndime nga një plumb i pa destinuar, kështu pjesëtarë të SPB Tetovë si të dyshuar të armës së zjarrit kanë arrestuar 13 persona ku janë mbajtur në stacionin policor dhe punohet në zbardhjen e rastit. Rasti dytë është në Çellopek të Tetovës ku një person duke qëndruar në qendër të fshatit është goditur në kokë nga një plumb i pa destinuar dhe për fat të mirë ka përfunduar me lëndime jo serioze”, u shpreh Fatmir Rexhepi, zëdhënës i SPB Tetovë.

Rexhepi apelon të festohet me zemër, por jo me armë.  Rikujton se edhe fishekzjarrët janë të ndaluara nëse paraprakisht nuk është marrë leje për hedhjen e tyre.

“Kemi organizuar takime me menaxherë dhe udhëheqës të objekteve e hotelerisë, siç janë organizatorët e ahengjeve familjare dhe dasmave duke i njoftuar të njëjtët për implikimet ligjore në rast se ndodhin të shtëna me armë zjarri apo organizim i fishekzjarrëve në mënyrë të paligjshme nëpër objektet e tyre hotelierike”, shtoi Rexhepi.

Të shtënat me armë janë në kundërshtim me Ligjin për prishjen rendit dhe qetësisë publike dhe gjoba për këtë lloj kundërvajtjeje sipas nenit 31 varion nga 200 deri në 500 euro. Po ashtu varësisht nga pasojat, gjuajtja mund të jetë dhe vepra penale “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, për të cilin është paraparë dënim me burg prej një deri në pesë vjet./TV21