7.8 C
Skopje

Dauti: Beteja e humbur për ta përvetësuar Nënë Terezën!

Publicisti Daut Dauti, në kolumnën e tij “Nënë Tereza, ajo “adhuruese” e Enver Hoxhës” botuar në gazetën Koha, midis tjerash ka veçuar si përshtypje të tij faktin  se shënimi i përvjetorëve të Nënë Terezës, që bien në fund të gushtit (ditëlindja-26 gusht) ose në fillim të shtatorit (data e vdekjes-5 shtator), gjithnjë e më tepër kanë vulë institucionale ku fjalën kryesore e kanë shqiptarët.

“Iu bie atyre që të merren me të. Edhe kësaj radhe ishte ashtu: Ministria e Sistemit Politik dhe Marrëdhënieve Midis Bashkësive, organizoi një ekspozitë fotografish nga biografi Don Lush Gjergji, titulli i së cilës e përmbante shqiptarësinë në titull (Autori është kosovar dhe është normale që ta vë theksin te etnia e saj). Duket sikur është një betejë e humbur për ata tjerët, që vetëpromovoheshin përmes figurës së Nënë Terezës, në një përpjekje makiavelistë për ta shfytyruar, për ta anacionalizuar, për ta “gjeografikuar” si një shkupjane pa rrënjë e pa nishane”-shkruan Dauti.

Në kontekstin tonë, thotë më tutje ai, është zhvilluar gjatë kjo betejë, duke dashur që përmes anacionalizimit, që çonte përmes “shkupjanizimit”, të kalohet te faza tjetër, ajo e përvetësimit.

“Shikuesit mbajnë mend një spekulant ordiner i cili depërtonte kahmos nëpër institucione si gazetar, publicist e madje dhe të bëhet skenarist i atij filmi të famshëm të TVM-së për fëmijërinë e Gonxhes, ku familja Bojaxhiu jo që s’fliste në gjuhën shqipe (ka mjaft aktorë shqiptarë për ta dubluar nëse jo dhe për të luajtur), por as që përmendej edhe midis rreshtash se familja Bojaxhiu është shqiptare, sikundër dhe bija e tyre, Gonxhja.”, shkruan publicisti.

“Por te ne, në dritën e ndasive tona, është paraqitur një problem emotiv i papërballueshëm: një nam i madh që është nobeliste dhe për këtë duhet afirmuar si fakt që është nga Maqedonia, ama si ta duash pa hile që ndodhi të jetë shqiptare dhe katolike, që nuk përkojnë me realitetin dominues etnik e fetar? Dhe falshiteti dhe josenqeriteti shpesh del në sipërfaqe. Tjetra arsye për ta anashkaluar si fakt, është çështja se ajo ka një nam planetar, “është e gjithë botës”, duke iu dhënë argument që të thonë çka ka nevojë të përmendet se është shqiptare?”,thonë Daut Dauti.

Prej një teze se s’është me rëndësi çfarë ka qenë ajo dhe pse ta përmendim(sepse krijon averzion te shumica), pat kaluar në përpjekjen e përvetësimit, nënvizon ai, duke përkujtuar rastin e një historiani maqedonas me të cilin kishte polemizuar në gazetën “Dnevnik”, i cili thoshte se Nënë Tereza nuk mund të jetë shqiptare, sepse babai i saj e ka pasur emrin Nikolla, Kolo! “Sa s’i thosha, e po një katolik s’ka mundur ta ketë emrin Hasan, o mjeran!”, ironizon autori.