09/12/2024

Sonte anëtarë të partisë Alternativa janë mbledhur në Shkup për të shprehur dorëheqjen e tyre nga kjo parti.

Më poshtë e gjeni komunikatën e plotë nga anëtarët e Alternativa – Çair:

Ne anëtarët e Alternativa – dega Çair, 2/3 e anëtarëve të kuvendit të degës, simpatizantët dhe përkrahësit, jemi mbledhur këtu që të shprehim shqetësimet tona lidhur me pakënaqësitë e akumuluara gjatë këtyre muajve në degën tonë, por jo vetëm.

Përkundër fakteve dhe disa tentativave për sinkronizim dhe harmonizim të degës, bisedimeve interne mes anëtarëve tanë – jemi të detyruar që të themi se problemet në degën e Çairit janë akumulim i revoltës së anëtarëve tanë, tash e 15-të muaj ne radhë.

Ndonëse, shpresa jonë deri në këtë moment, ishte se do arrijmë kompromis mes anëtarëve të degës, kjo fatkeqësisht nuk u bë – ndërsa fajtorët për këtë tash dihen dhe mbajnë vulën e dy – tre individëve që kanë uzurpuar dhe nepotizuar gjithçka në parti.

Me këtë rast, para opinionit publik dhe gjithë anëtarësisë, sollëm këto vendime:

– 2/3-ta e anëtarëve të degës Çair japin dorëheqje nga organet partiake;
– 8 anëtarë të Kuvendit Qendror, së bashku me 1 anëtar të Kryesisë Qendrore – shuajnë aktivitetin në degë;
– kryetarët e nëndegëve përkatëse, së bashku me anëtarët e tyre, tërhiqen nga dega Çair;

Nga ky moment, struktura themeluese e degës, së bashku me disa kryetarë nëndegësh dhe aktivistë, 2/3-ta e anëtarëve të strukturës partiake, para anëtarësisë, aktivistëve, simpatizantëve dhe përkrahësve, por edhe para opinionit publik, riktheksojmë se meritorët për dorëheqjen tonë kolektive nga dega, janë vetëm dy-tre uzurpatorët-klientelistë, ndërkaq për gjithë këtë katrahurë dhe rezultatin për degën Çair, flasin edhe anketat e fundit.

Për në fund, këshilla jonë deri te secili aktivistë në degë është tepër miqësore dhe fisnike: ”thirrni mendjes, para se të jetë vonë” – nuk bëhet degë me anëtarë të familjes dhe nepotizmave, si p.sh. nëndegë me tre anëtarë të familjeve: Gashi dhe Ibrahimi – ndonëse sot ata ende vazhdojnë të jenë anëtarë të kuvendit, nuk bëhet nëndegë as me kushërinj të parë dhe akraba të dytë, apo strukturë të nëpërkëmbëzave me terminologii terciale:”ky i imi, ai i joni”, – ose thënë me termin e juaj të preferuar: ”axhanak-baxhanak”.