11/12/2024

-Qarqet politike dhe mediale pa nevojë e vunë në fokus emrin e shkrimtarit dhe veprimtarit të madh shqiptar, disa për nevojat ditore dhe të tjerë për ta rishfaqur dhe shfryrë vrerin e fshehur nacionalist

Shkruan: indeks.mk

Ende nuk janë kthyer të gjithë politikanët nga pushimi, por kjo nuk është pengesë për të trajtuar një temë koti, ku në qendër të vëmendjes, pa pikën e fajit, u gjet hiq më pak se Adem Demaçi!

Emërtimi i një rruge me emrin e tij ndoshta nuk do të bëhej asnjëherë problem, sikur të mos ishin përzier disa gjëra si “mëlmesë” në këtë kazanin politik ku gjithnjë diçka zien. E u përzien gjëra që s’duhej përzier, historia me të tashmen dhe të ardhmen, në pikën më të ndjeshme, atë të marrëdhënieve ndëretnike dhe pseudopolitika dhe pseudopatriotizmi, me përpjekjen dhë futjen në kurth në mënyrë naïve, të kryeministrit Kosovar për nevojat ditore politike të subjekteve që kanë nevojë për famën e tij!

Dhe “e hëngri” Adem Demaçi!

Të shkojmë pak me radhë logjike, nga e fundit te e para, edhe pse mundej një renditje tjetër.

Kaluan bukur do ditë që nga vizita e Kryeministrit të Shtetit(theksimi me shkronjë të madhe me qëllim) të Kosovës, në dy Komunat e Shtetit të Maqedonisë V. Barazimi midis shtetit dy milionësh që përfaqëson një kryeministër dhe dy komunave që nuk përbëjnë as dhjetë përqindëshin e shtetit, nuk është çështje numerike, por çështje thelbësore: kur çohet një kryeministër nga shteti I tij për të shkuar në një shtet tjetër, a janë homologë të tij kryetarët e komunave? Ka logjikë, që një vizitë shtetërore me homologët e tij, të plotësohet me një agjendë rastësie të takimeve dhe me kryetarë komunash, por jo të çohet me gjithë eskortën e tij, për t’u bërë pjesë e një aktiviteti lokal.
Do thotë dikush, prit, nuk është bash çështje lokale ndërtimi i rrugës Tetovë – Prizren, siç është lokal dhe tepër lokal, emërtimi i një rruge. Por jo, sepse vetë Kurti e tha te nikoqiri i tij Bilall Kasami, se çështja e rrugëve është çështje e dy shteteve?! Mirë që e tha gojën e vet këtë të vërtetë, por nëse qenka kështu, atëherë çfarë pati që erdhi për ta promovuar këtë ide të kahershme? Për t’i ndihmuar Bilall Kasamit për partinë e tij? Apo ndoshta siç tha një oponent politik i tij në Kosovë, i ka kënaqur punët në Kosovë e ka ardhur t’i rregullojë në Maqedoni?! Nuk e dimë çfarë është qëllimi, vetëm mund të supozojmë, por pranimi i kësaj vizite në një komunë, për të promovuar një projekt ndërshtetëror, është ulje e nivelit të tij prej kryeministri.Nëse kjo rrugë do të ndërtohej si bashkëpunim midis dy komunash, vendin në Tetovë dhe anasjelltas, do ta kishte kryetari i komunës së Prizrenit apo Dragashit dhe jo kryeministri i Kosovës!
Në politikë është ashtu, miza bëhet buall dhe bualli mizë. Kjo vizitë, për këtë duhej të kishin kujdes të gjithë, emërtimi i rrugës me emrin e Adem Demaçit jo vetëm që u bë buall pa nevojë, por dhe u mundësoi disa qarqeve për t’i dhënë konotacionin që nuk duhej, e as për ta vënë emrin e shkrimtarit dhe veprimtarit në kontekst të ndonjë ideje shqiptaromadhe, siç dhe bënë. Me këtë iu mundësua të çojnë kokë qarqe nacionaliste të cilat mezi presin ndonjë temë të tillë. Ato nuk e shikojnë Demaçin si shkrimtar e as veprimtar të kauzës kundër shtypjes së shqiptarëve në Kosovë, por në kontekst të rrezikimit të shtetit të Maqedonisë nga “idetë shqiptaromëdha”. Këtu prezenca e Albin Kurtit vjen si një “dëshmi” për këtë, gjë të cilën Kurti duhej ta dinte prej më parë dhe të evitonte.

Pastaj u ndërlidh edhe konteksti historik i ndjeshëm nga aspekti i vet, sepse hiqet një emër i një brigade të njohur partizane(e Maqedonia ka lindur si shtet pikërisht falë lëvizjes partizane), me një “ideolog të Shqipërisë së Madhe”! Dokrra pa fund, por të mirëseardhura për këto qarqe politike e mediale.

Në situatën që gjendemi si shtet, kur përpiqemi të thellojmë kohezionin dhe të arrijmë konsensus poliitike për ndryshimet kushtetuese për të realizuar qëllimin e integrimit në BE, praktikisht rasti u shërbeu qarqeve nacionaliste për t’u promovuar sërish. Kujt t’ia shpjegosh se për shqiptarët brigadat partizane nuk mbahen mend vetëm për luftën kundër okupatorëve fashiste, por për një varg vrasjesh masive e masakrash ndaj popullatës civile(Bllaca, Monopoli i Tetovës)me gjyq e pa gjyq?!

Prandaj, mund të konkludojmë se ishte një vizitë “e mirëseardhur” për manipulime politike të gjithanshme si nga aktorët e involvuar drejtpërdrejt, si nga të tjerët që nxjerrin tema të tjera. Qarqet politike dhe mediale pa nevojë e vunë në fokus emrin e shkrimtarit dhe veprimtarit të madh shqiptar ,si për nevojat ditore disa, si për ta rishfaqur dhe shfryrë vrerin e fshehur nacionalist të tjerët.