03/10/2024

Në dhjetor të vitit të kaluar, Ministria e Punëve të Brendshme e RMV-së ka lidhur kontratë për blerjen e targave të reja të regjistrimit dhe afisheve për regjistrimet në të cilat marka “MK” do të zëvendësohet me “NMK”.

Kontrata është lidhur me kompaninë “Kvantum dooel Skopje”, kurse prodhuesi i pllakave është kompania gjermane “EHA Hoffman”.

Nga MPB thonë se sipas Marrëveshjes Kornizë për prokurimin e targave të regjistrimit, është lidhur një marrëveshje porosie me operatorin ekonomik të përzgjedhur, për të cilin janë duke ecur afatet ligjore për dorëzimin e afisheve.

“Sipas vendimit për ndryshimin dhe plotësimin e vendimit për çmimet e formularëve të nxjerrë nga Ministria e Punëve të Brendshme, të publikuar në Gazetën Zyrtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut nr. 2 nga 03.01.2024, çmimet e afisheve do të variojnë nga 30 deri në 50 denarë”, thuhet në përgjigjen e MPB-së.

Qytetarët duhet të ndërrojnë targat e tyre më së voni deri më 12 shkurt dhe të kenë shënimin “NMK” në vend të “MK” të mëparshme, obligim që rrjedh nga Marrëveshja e Prespës.