09/12/2024

Dhoma e Përfaqësuesve miratoi të enjten një paketë ndihme ushtarake prej gati 14.5 miliardë dollarësh për Izraelin, një mbështetje e fuqishme amerikane ndaj luftës me Hamasin, por edhe një qasje partiake nga kryetari i ri Mike Johnson, e cila përbën një sfidë të drejtpërdrejtë për demokratët dhe Presidentin Joe Biden. Ndryshe nga e kaluara, paketa e miratuar nga Dhoma e Përfaqësuesve e kryesuar nga zoti Johnson, kërkon që ndihma urgjente të kompensohet përmes shkurtimit të shpenzimeve qeveritare diku tjetër. Presidenti Biden ka thënë se do t’i vërë veton projektligjit, i cili u miratua me 226 vota pro dhe 196 kundër, me 12 demokratë që iu bashkuan shumicës republikane. Dy republikanë votuan kundër.

Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson, tha se paketa republikane do t’i sigurojë Izraelit ndihmën e nevojshme për t’u mbrojtur, liruar pengjet e marra nga Hamasi dhe për të çrrënjosur grupin militant palestinez. Ai tha se ligjvënësit po punojnë për të siguruar investime të përgjegjshme dhe zvogëluar madhësinë e qeverisë federale. Demokratët thanë se kjo qasje do ta vononte ndihmën për Izraelin. Udhëheqësi i shumicës demokrate në Senat, Chuck Schumer, ka paralajmëruar se projektligji “jashtëzakonisht joserioz” nuk ka shanse të miratohet në Senat. Presidenti Joe Biden i ka kërkuar Kongresit një paketë ndihme prej 106 miliardë dollarësh, ku përfshihen ndihmat për Izraelin dhe Ukrainën si dhe fonde për të rritur konkurrencën me Kinën në rajonin e Azi-Paqësorit, si dhe fonde për rritjen e sigurisë përgjatë kufirit mes Shteteve të Bashkuara dhe Meksikës.

Zoti Johnson ka thënë se dëshiron t’i trajtojë çështjet ndarazi, ndërsa do të shqyrtojë më pas ndihmat për Ukrainën dhe çëshjen e sigurisë së kufirit. Në radhët e republikanëve janë shtuar zërat kundër ndihmave për Kievin. Duke paralajmëruar për veton, Shtëpia e Bardhë theksoi se qasja e zotit Johnson “dështon të përmbushë nevojat urgjente të momentit” dhe se do të krijonte një rast të rrezikshëm duke kërkuar që fondet urgjente të vijnë nga shkurtime diku tjetër. Shifra në projektligjin e miratuar nga republikanët është e ngjashme me shumën që ka kërkuar zoti Biden, por Shtëpia e Bardhë tha se mospërfshirja e ndihmës humanitare për Gazën është “një gabim i rëndë” ndërsa kriza thellohet.

“Ky projektligj bie ndesh me qasjen normale, qasjen dypartiake për miratimin e ndihmës urgjente për sigurinë kombëtare”, thuhet në një deklaratë të Shtëpisë së Bardhë. Qëndrimi i republikanëve “do të sillte ndërlikime shkatërrimtare për sigurinë tonë gjatë viteve të ardhshme”, thuhet më tej në deklaratë. Republikanët kanë një epërsi të vogël në Dhomën e Përfaqësuesve ndërsa demokratët kontrollojnë Senatin. Që të bëhet ligj, një projektpropozim duhet të miratohet në Dhomën e Përfaqësuesve dhe në Senat dhe më pas të nënshkruhet nga Presidenti Biden./VOA