24/06/2024

– Fjala e tij drejtuar publikut të gjerë, duke paralajmëruar “28 janarin e motit 2024” ka jehonën e fjalëve të Martin Luter Kingut(“I have a dream”), që do të mbetet përjetë: “Kur guxuam, ia dolëm, kur ëndërruam, realizuam, kur besuam, punuam, kur u tha, u bë!”

Shkruan: indeks.mk

Sot paradite Ali Ahmeti doli me një fjalim të veçantë para publikut të gjerë të vendit. Kuptohet se nuk do ta linte pa e thënë fjalën e tij për një ngjarje të madhe në historinë më të re të vendit tonë dhe të shqiptarëve në veçanti, ardhjen e kryeministrit shqiptar, projekt politik i premtuar dhe tash në finalen e realizimit.

Ali Ahmeti, lider i BDI-së, si rrallëherë ishte i frymëzuar në fjalimin e tij, foli me gjuhën e një idealisti çfarë e njohim, i ekzaltuar për gjërat që beson, por dhe përdori argumentet që idealistin e bëjnë politikan pragmatist, i cili nuk premton gjëra që s’i realizon.

“Çdo gjë fillon me një ëndërr.”, tha Ali Ahmeti. Dhe kjo është veti e një idealisti, i cili gjithë jetën ia ka kushtuar “ëndrrave” për avancimin e shqiptarëve, si këtu, si në Kosovë e gjithandej. Për liri e barazi midis popujsh të barabartë dhe dinjitet.

Kur Ali Ahmeti flet me këtë gjuhë edhe sot, për ëndrra dhe ideale, dhe këtë ia marrin për të madhe oponentët, gjërat nuk janë ashtu, sepse, mbi dy dekada tashmë Ali Ahmeti nuk është vetëm ëndërrimtar, por dhe realizues i qëllimeve të idealit.

Kryeministri i parë shqiptar ishte një premtim parazgjedhor, e cila shumëkujt i ishte dukur premtim bosh. “Asnjëherë nuk do të bëhet!”, mendonin oponentët politikë, që në inatin e tyre edhe e dëshironin këtë, edhe pse do të ishte një akt që forcon pozitën e shqiptarëve në Maqedoni. Tash kur po bëhet realitet, fjalët e Ali Ahmetit kanë peshën e një jehone historike, si fjalët e Martin Luter Kingut “I have e dream!”(Unë kam një ëndërr), me të cilën ndryshoi përgjithomonë Amerikën!

“Më pyetën, a vërtetë besoni që do të bëhet, thash jo vetëm që besoj, por edhe do të bëhet.” Është e tepër t’i përsërisim fjalët e Ali Ahmetit, por vërtet ëndrrat realizohen kur ke një besim në to dhe kur, siç thotë ai, me sakrificë e përkushtim realizohen.

Idealisti i hedh në letër ose i mban brenda vetes dhe punon për to, politikani pragmatist i bën realitet, e në portofolion e Ali Ahmetit janë ndër arritjet më të mëdha të shqiptarëve në Maqedoni: Marrëveshja e Ohrit, pushteti lokal, zyrtarizimi i gjuhës shqipe në të gjitha nivelet, universitetet me finansim shtetëror, për flamurin as që ka nevojë ta përmendim…barazia në përfaqësim në administratë…

Dhe kur vijmë te kjo ditë që ai promovon kryeministrin shqiptar, do ta quajë historike si për shqiptarët, aq edhe për maqedonasit, si dhe për të gjithë të tjerët, sepse po bëhemi shtet dhe shoqëri e barabartë dhe po tejkalojmë të gjitha paragjykimet, sepse ai beson se me një akt të këtillë vendi ynë po bëhet edhe më i fortë, edhe më i barabartë edhe më i bashkuar.

Edhe pse nuk ke si t’i ikësh faktit se Kryeministrin e parë shqiptar është një premtim i Ali Ahmetit, ai pa egoizëm dëshiron ta ndajë me të tjerët kur thotë se “e bëmë bashkë, ta bëjmë edhe Maqedoninë Europiane bashkë, duke shprehur besimin se ëndrrat realizohen po që se besoni dhe punoni. Ndaj dhe urtësia do të ishte kjo: nëse e lufton me vite një politikan të tillë të suksesshëm, më mirë rreshtohu me të.
Kur t’i peshosh fjalët dhe realizimet, Ali Ahmeti me të drejtë e quan historik “28 janarin e motit 2024” duke u shprehur sikur dikur Martin Luter Kingu, që do të kenë jehonë të përjetshme:

“KUR GUXUAM, IA DOLËM, KUR ËNDËRRUAM, REALIZUAM, KUR BESUAM, PUNUAM, KUR U THA, U BË!”