Dëshpërimi i Lubço Georgievskit dhe ngazëllimi i Arbër Xhaferit, para 20 vjetësh, janë dy këndvështrime me ngjyrime etnike ndaj Marrëveshjes së Ohrit, që do të jenë diskurs emotiv si para, ashtu dhe pas saj. Madje, dhe një keqkuptim i përhershëm në leximin e saj, ku pala maqedonase gjithnjë do të përpiqet ta shohë kornizën më të ngushtë, ndërsa pala shqiptare atë sa më të gjerë, si burim i të drejtave… Secila palë duke e tërhequr litarin në anën e vet!
Shkruan: Daut DAUTI
Shumëkujt do t’i ketë mbetur në kujtesë “incidenti” (jo)diplomatik i Arbër Xhaferit më 13 gusht 2001, i cili pasi vuri nënshkrimin para lehtësuesve ndërkombëtarë, kur erdhi radha për ta përshëndetur Marrëveshjen Kornizë, së pari foli shqip. Me këtë do ta kujtojmë fytyrën e mërdhezur të nënshkruesit tjetër, Lubço Georgievski, që e përcolli hidhët këtë “diversion” të papritur për të. “Bënëm Zot ëndërr!”, ndoshta do të ketë thënë në vete, “më thuaj që kjo nuk ndodh përnjëmend!”
Por, jo, gjithçka ishte përnjëmend. Arbër Xhaferi, lideri i PPDSH-së, e gjeti momentin që para publikut të vendit dhe atij ndërkombëtar të tregojë se me Marrëveshjen Kornizë, prej asaj dite fillon një epokë e re për Maqedoninë ose, më saktë, një realitet i ri dhe se shqiptarët dhe gjuha e tyre po e fitojnë peshën që s’e kishin më parë.
1. Shija e hidhur e Marrëveshjes
Në të vërtetë, ajo pamje dramatike pas nënshkrimit, një shok mental, ose një thyerje përbrenda, ishte vetëm vijim i ngjarjeve dramatike që sollën marrëveshjen, të cilën njëra palë nuk e deshi, por ishte e detyruar ta nënshkruajë, ndërsa tjetra po ashtu deshi më shumë, por po ashtu ishte e detyruar ta nënshkruajë për shkak të përkeqësimit të situatës ditëve të fundit të konfliktit.
Dëshpërimi i Lubço Georgievskit dhe ngazëllimi i Arbër Xhaferit, para 20 vjetësh, janë dy këndvështrime me ngjyrime etnike ndaj Marrëveshjes së Ohrit, që do të jenë diskurs emotiv si para, ashtu dhe pas saj. Madje, dhe një keqkuptim i përhershëm në leximin e saj, ku pala maqedonase gjithnjë do të përpiqet ta shohë kornizën më të ngushtë, ndërsa pala shqiptare atë sa më të gjerë, si burim i të drejtave…
Si rezultat i këtyre këndvështrimeve, që në hapin e parë iu bë diversioni nga vetë nënshkruesit! Që në vjeshtën e vitit 2001, pasi UÇK-ja kishte shpallur (madje para kohe) fundin e dorëzimit të armëve(„жетва“/“korrja”), pasoi rebelimi i deputetëve të VMRO-DPMNE-së, të cilët nuk pajtoheshin që Marrëveshja Kornizë të bëhet pjesë e kushtetutës ashtu siç kishin rënë në ujdi Presidenti Boris Trajkovski dhe liderët e partive parlamentare, Lubço Georgievski, Branko Cërvenkovski, Imer Imeri dhe Arbër Xhaferi. Me presionin e deputetëve të VMRO-së u bë korrigjimi i parë i marrëveshjes në pikat që u përkisnin bashkësive fetare dhe terminologjisë së përdorur për kategoritë etnike, duke shprehur jokonsekuencën ndaj detyrimeve që kishte marrë shteti për implementimin e saj.
Dy dekada implementim (shumë nga pikat e marrëveshjes i kanë thyer afatet e parapara), kanë qenë periudhë e thyerjes së barrierave psikologjike dhe “adaptim” shoqëror (!), që për një pjesë të mirë të qytetarëve dhe, sidomos, për subjektet politike ka qenë tejet frustrues. Gjëja e parë që s’ia falin Marrëveshjes Kornizë është pse kjo ndodhi nën diktatin “e terroristëve të UÇK-së” ose, madje, dhe me “agresion nga Kosova” të kombinuar me “komplot ndërkombëtar”… Ndonëse në shumë shkrime konfliktin e kam cilësuar si një “barazim” lufte (përafërsisht numër i njëjtë viktimash nga të dy palët, mosshkarje në luftë civile…), disa qarqe maqedonase kanë vazhduar ta trajtojnë si humbje edhe ushtarake edhe politike përderisa ishin të detyruar të nënshkruajnë një marrëveshje nën presion. Ndoshta ata kanë të drejtë. Vërtet, Maqedonia ishte humbëse, por jo vetëm në konfliktin, por më tepër në politikat e gabuara që e sollën 2001-shin…
Në fillim më i frustruari prej të gjithëve doemos ka qenë kryeministri Lubço Georgievski, i cili ndihej i tradhtuar si nga partneri i koalicionit, PPDSH-ja (lideri i saj, bashkë me kryetarin e PPD-së, Imer Imeri e nënshkroi Deklaratën e Prizrenit me liderin e UÇK-së, Ali Ahmeti), si nga shqiptarët, e të mos flasim për ndërkombëtarët. Sepse, edhe pse me fillet tejet nacionaliste në karrierën politike, ai më vonë u mbush me mend dhe në kohën kur ishte në qeveri me një parti shqiptare (nga 1998-ta), bëri hapa të parë fleksibilë ndaj kërkesave të shqiptarëve (siç ishte themelimi i Universitetit të Evropës Juglindore në gjuhën shqipe si universitet privat), rritje përfaqësimi të shqiptarëve kundrejt periudhës tetëvjeçare të kaluar), ndaj konflikti që ndodhi gjatë qeverisjes së tij ishte shokues për të. Sepse, ai as në ëndrrën më të keqe nuk e ka menduar se do t’i ndodhte konflikti i vitit 2001, kur ai në dëshpërimin më të madh qe i gatshëm, madje, edhe të hyjë në kombinime për këmbim territoresh.
Por, ai nuk është i vetmi. Të dëshpëruar ose të pavullnetshëm do të jenë edhe bashkëpartiakët e tij. “E kemi nënshkruar Marrëveshjen e Ohrit, do ta respektojmë atë, do t’i përmbushim detyrimet që dalin prej saj, por mos prisni që të ngazëllehemi me të!” Kështu përafërsisht është shprehur trashëgimtari i Georgievskit, në krye të VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski. Në të vërtetë, haptas ose në intimen e thellë të çdo politikani maqedonas, pavarësisht ngjyrave partiake, ky qëndrim i Gruevskit mund ta përshkruajë më së miri se si një maqedonas e shikon Marrëveshjen Kornizë. Po, vërtet ajo ndërpreu luftën, por nuk duam ta kujtojmë se si u arrit ajo! Edhe përkrahës të kësaj marrëveshjeje, si bie fjala profesoresha Mirjana Najçevska, është deklaruar se e ka përkrahur Marrëveshja Kornizë, pasi e ka mbyllur konfliktin, porse ajo nuk duhet të jetë burim i së drejtës! Paramendojeni këtë logjikë, të përkrahësh një marrëveshje, e cila ka pika që si obligime i merr shteti, duke përfshirë ndryshimet kushtetuese, e të mos jetë burim i së drejtës! Diçka nuk shkon me logjikën…
Periudha pas vitit 2001 krijoi dhe një realitet të ri në skenën politike. Pjesa më e madhe udhëheqësisë dhe pjesëtarëve të UÇK-së e themeluan një subjekt politik, i cili do të dominojë për dy dekada rresht. Ky realitet i ri te shqiptarët rezultoi me krijimin e dy poleve oponentë, BDI-PDSH, ku nuk do të ketë vend për partinë më të vjetër, PPD-në, sepse duke krijuar imazhin e një partie të moderuar, BDI-ja e zuri hapësirën e PPD-së, e cila kundejt PPDSH-së gjithnjë ishte konsideruar si e moderuar, kurse PDSH-ja qëndroi në ekstremin tjetër. Kjo është me rëndësi të theksohet, sepse duke u fshirë nga skena politike, PPD-së më nuk do t’i dëgjohet zëri sa i përket implementimit të Marrëveshjes Kornizë (zërat individualë nuk llogariten e as zërat e kësaj partie të strehuar ndërkohë në partitë tjera, ku do t’i bien telit të partive të reja) dhe është për t’u çuditur se në paraqitjet publike, nënshkruesja e fundit, PDSH-ja do të bëhet mjaft kritike, jo vetëm për shkak të vonimit të implementimit, por madje edhe për zgjidhjet bazike të Marrëveshjes së Ohrit. E mbetur pa pushtet dhe pa mundësi që ta jetësojë atë, hapi i saj i ardhshëm ka qenë që të rreshtohet me kritikuesit.
Kështu, paradoksalisht, hise për ta mbrojtur dhe për ta implementuar i ra partisë e cila nuk qe nënshkruese e drejtpërdrejtë, edhe pse në mënyrë indirekte, ajo qe arritur edhe me aminin, nga malet, të liderit të UÇK-së dhe tash të Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmetit. Në bllokun maqedonas, partia e cila në fillim ishte më konsekuente në zbatimin e detyrimeve që dolën nga Marrëveshja, LSDM-ja, pikërisht falë implementimit, mbeti pa pushtet që nga viti 2006 gjer në vitin 2017. Kjo flet se si opinioni maqedonas nuk e ka parë Marrëveshjen e Ohrit si mundësi të paqes dhe kohezionit shoqëror. E, në anën tjetër, implementimi Marrëveshjes i mbeti partisë VMRO-DPMNE, që pa vullnet e bënte, bashkë me BDI-në jo nënshkruese. BDI-ja, praktikisht, i mori edhe meritat, por asaj iu adresuan edhe kritikat për shumë vonesa në implementimin e pikave të marrëveshjes ose dhe të implementimit jo të plotë, por së fundi, edhe merita për implementim “përtej Marrëveshjes së Ohrit”
2. Beteja për gjuhën
Një nga çështjet kyçe të Marrëveshjes së Ohrit ishte ngritja e nivelit të përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe. Që në pikën 1.3. parashihet që „karakteri multietnik i shoqërisë maqedonase të reflektohet në jetën publike” ose në pikën 1.4. theksohet se një shoqëri bashkëkohore demokratike “në rrugëtimin e natyrshëm të zhvillimit dhe pjekurisë së vet, duhet patjetër që kushtetuta e saj të sigurojë vazhdimisht t’i plotësojë nevojat e të gjithë qytetarëve në harmoni me standardet më të larta ndërkombëtare të cilat edhe vetë zhvillohen vazhdimisht.” Me këto pika hetohet tendenca që të krijohen baza për multietnicitet në jetën publike, ku gjithsesi do të zë vend gjuha.
Marrëveshja e Ohrit është kompromis midis kërkesave “maksimaliste” të shqiptarëve dhe qëndrimeve rigjide shumëvjeçare të subjekteve maqedonase dhe përkeqësimit të situatës së luftës në ditët kur po zhvilloheshin bisedimet në Ohër. Pikërisht atyre ditëve ndodhi vrasja në gjumë e disa pjesëtarëve të UÇK-së në një lagje të Gazi Babës (një aventurizëm i rrezikshëm i ministrit të atëhershëm të Punëve të Brendshme, Lube Boshkovski, që do të marrë shumë viktima të panevojshme), pastaj ndodhi Karpallëku, Stanet e Lubetenit dhe, në fund, vrasja e dhjetë civilëve në fshatin Lubeten… Në një situatë të këtillë, pala maqedonase e kishte humbur vullnetin të përfundojë bisedat për marrëveshjen politike dhe lehtësuesit ndërkombëtarë ishin munduar ta shpëtojnë procesin dhe i kishin detyruar përfaqësuesit politikë që ta nënshkruajnë atë për të cilën kishin rënë dakord deri atëherë, andaj ka gjëra që do të duhej të ishin konkretizuar më tepër, gjëra të cilat nuk do të lenin që disa pika të lexohen kujt si t’i përgjigjet.
Por, gjithë këtë defekt në “tajming”, Marrëveshja e Ohrit e ngriti dukshëm statusin e shqiptarëve. Ajo e futi mekanizmin e vendosjes konsensuale për çështjet që i përkasin kulturës, përdorimit të gjuhëve e simboleve, duke kërkuar miratim me dy të tretat e votave dhe me pajtim të shumicës së deputetëve të bashkësive jo shumicë (e a.q. “shumicë e Badenterit”, e cila në praktikë është përdorur shumë pak). U zgjidh problemi i arsimit superior në gjuhën shqipe, jo siç e thekson Branko Cërvenkovski me vullnetin e tij, por si pjesë e Marrëveshjes së Ohrit (në kaptinën 6.) sepse në pikën 6.1 do të shkruajë: “Financimi nga ana e shtetit do të sigurohet për arsimin e lartë në gjuhët që e flasin të paktën 20 për qind e popullatës, në bazë të marrëveshjeve të veçanta”. Edhe çështja tjetër që ka qenë e kontestuese, ajo e gjuhës shqipe, do të ngrihet dukshëm, pothuajse do të barazohet me maqedonishten. Në pikën 6.4. për gjuhën maqedonase do të thuhet: “Në gjithë territorin e Republikës së Maqedonisë dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare, gjuhë zyrtare është gjuha maqedonase “, kurse në pikën 6.5. parashihet përdorimi i gjuhës tjetër zyrtare: “Cilado gjuhë që e flasin të paktën 20% e popullatës, po ashtu është zyrtare, siç është elaboaruar në aneksin B”. Në këtë kapitull, kuptohet, janë dhënë fushat ku do të përdoret, që nga pushteti lokal e deri te gjyqësia apo dokumentet personale.
Nëse lexohet më sipër, ka edhe barazim të përdorimit zyrtar, por ka edhe kushtëzime. Kjo materie do të futet në nenin 7 të Kushtetutës dhe periudha pas votimit të amendamenteve (në vjeshtë të vitit 2001), do të jetë një rrugë e vështirë përplot kundërthënie dhe interpretime të ndryshme, që si rezultat do të ketë miratimin, madje, të tri ligjeve për përdorimin e gjuhëve! Çdoherë duke u ngjitur në ndonjë shkallë më lartë, por të pamjaftueshëm dhe me zgjidhje gjysmake. Shembulli më ilustrativ i jo plotënisë së zgjidhjeve ligjore mund të shërbejë përdorimi i gjuhës shqipe në parlament në vitet e para pas 2001-shit. Me rregulloren e Kuvendit parashihej një situatë absurde që deputetët mund të diskutonin shqip, por nëse ishin në cilësinë e udhëheqësit të mbledhjes ose të komisioneve, këtë të drejtë nuk e kishin. Interpretim i çuditshëm! Po ashtu në ekzekutiv nuk mund të bëhej hapi për ta futur në përdorim shqipen, jo vetëm në mbledhjet e qeverisë, por edhe në konferencë shtypi po të fliste ndonjë ministër shqip, mediat do ta trajtonin si skandal. Tjetra situatë absurde ishte përdorimi i shqipes në shtrirje horizontale: mund të përdorej në çdo komunë, që nga organet komunale e gjer në mbishkrime, rrugë, por jo dhe në rrugët magjistrale të “atarit” të komunave ose, bie fjala, në Shkup, në rrugët e Çairit ose Butelit po, por jo ato të komunave të tjera ku shqiptarët nuk ishin 20 për qind, edhe pse Shkupi si njësi administrative tashmë e kishte plotësuar kushtin ligjor dhe kushtetues për këtë!
Pas dy ligjesh jo të plotë, më 11 janar 2018, Kuvendi e votoi ligjin e tretë brenda dy dekadash pas Marrëveshjes së Ohrit, ligjin i cili pa dyshim e afroi gjuhën shqipe pranë maqedonishtes në përdorimin zyrtar, i cili tash hyri në ekzekutiv dhe në çdo institucion publik, gjë që më parë nuk mund të merrej me mend! Për herë të parë, të gjitha subjektet shqiptare qëndruan bashkë në një qëllim (arritur më herët me Deklaratën e Tiranës, e pastaj edhe në Kuvend). Për më tepër, ky ligj mundësoi krijimin e dy institucioneve që do të përkujdeseshin për cilësinë e gjuhës (Agjencia e Zbatimit të Gjuhës) dhe respektimin e implementimit të gjuhëve (Inspektorati i Gjuhës). Meqë të dyja këto institucione kanë për qëllim para së gjithash të kujdesen se si përdoret shqipja, krijojnë iluzionin sikur shqipja tash është më e mbrojtur instiucionalisht se vetë maqedonishtja!
Sido që të jetë, ajo që e kishte bërë me “provokimin” e vet Arbër Xhaferi më 13 gusht 2001, duke folur shqip, tash u bë realitet, në të cilin me vullnet apo pa të, dalëngadalë po mësohen edhe ata që me vite e kanë kundërshtuar çdo avancim të shqipes. Ai realitet i mëparshëm është i pakrahasueshëm me këtë të tashmin. Më parë një emër spitali të shqiptares Nëna Terezë nuk mund ta shkruaje në gjuhën e saj amtare, e tash kjo gjë është e padiskutueshme në mbarë territorin e Maqedonisë së Veriut dhe në gjithë administratën shtetërore e lokale. Kuptohet se dy-tri vite nga ky ligj janë periudhë e shkurtër që të gjitha institucionet, organet, drejtoritë, agjencitë, ministritë, komunat, udhët… ta kenë arritur formën dhe cilësinë e duhur të përdorimit të gjuhës shqipe, diku ende ka arsyetime të ndryshme për të zvarritur përmbushjen e obligimit ligjor dhe kushtetues, por kjo është një rrugë e nisur e cila nuk ka të ndalur.
3. Ai farë 20-përqindëshi!
Me gjithë avancimin në përdorimin e shqipes si gjuhë e dytë zyrtare faktike, në statusin e saj mungon “emri”. Ajo, sikundër edhe gjithçka që shqiptarët arritën falë Marrëveshjes së Ohrit, është e lidhur me kategorinë e 20-përqindëshit. Ky kategorizim ka në vete dy-tri mangësi thelbësore. E para, sado që të avancohen të drejtat, shqiptarët mbeten anonimë në kushtetutë, gjuha e tyre mbetet anonime dhe kjo nuk e bën kënaqësinë të plotë. Ndaj gjatë gjithë kësaj periudhe janë hapur me të drejtë debate për nevojën e “kthimit” të shqiptarëve si kategori kushtetuese. Sigurisht, në kohën kur janë zhvilluar bisedimet në Ohër një nga motivet kryesore pse është vënë kushti i 20-përqindëshit ka qenë që duke ua plotësuar kërkesat shqiptarëve, të pengohet që mos të trajtohen njësoj bashkësitë më të vogla etnike. Por, për vetë shqiptarët është një mangësi e madhe, sepse shqiptarët ishin kategori kushtetuese edhe gjatë regjimit komunist.
Çështja tjetër problematike është një kapitull vazhdimisht i hapur manipulimi lidhur me përqindje, sepse qarqe nacionaliste kanë lansuar tezat e padëshmuara se shqiptarët nuk janë 20 për qind dhe, me këtë, duhet t’i humbin të drejtat! Për këto qarqe, që u besojnë sajesave të veta propaganduese, regjistrimi i vitit 2002, që i nxjerr shqiptarët 25 për qind është i manipuluar, sepse “u janë dhënë shtetësi 150 mijë kosovarëve”! Një tezë bajate që nga fillimi i pluralizmit që po modifikohet sipas nevojave ditore.
Kjo fushatë kontestimi ka bërë që ndonjë politikan maqedonas (Zoran Zaev) të deklarojë se pavarësisht se si do të jetë numri i shqiptarëve, nuk ka kthim prapa në drejtim të humbjes së të drejtave të arritura. Ose, po për këtë çështje, lideri i VMRO-së, Hristijan Mickovski, në një intervistë ka shprehur fleksibilitet edhe më të madh (të paktën deklarativ) se mund të bëhen edhe ndryshime kushtetuese ku të hiqet kategoria e 20-përqindëshit dhe të përmenden shqiptarët ose gjuha e tyre me emër. Por, kjo nuk është ndonjë garanci se kur të vijë në pushtet edhe do ta bëjë një gjë të tillë.
Kuptohet se deri te një kthesë radikale për të hequr të drejtat është pothuajse i pamundur, por nuk është e shëndetshme për një shoqëri që të ketë një zgjidhje si kjo, e cila do t’i mbajë gjallë tendencat për të dëshmuar se shqiptarët janë më pak se 20 për qind dhe të krijojë fërkime të vazhdueshme dhe, madje, tendenca që kjo dhe të dëshmohet. Nga ana tjetër, edhe ky regjistrimi i vonuar (pas 20 vjetësh, sepse ai para dhjetë vitesh qe ndërprerë), i lë hapur manipulimet dhe mosbesimin edhe sikur regjistrimi të bëhej në mënyrë ideale.
4. Pajtimi dhe kohezioni…
Marrëveshja e Ohrit, përkundër të gjitha përjetimeve apo interpretimeve, arriti një pajtim ndëretnik, edhe pse jo i vullnetshëm nga të dy palët, sepse kur ke konflikt si ai i vitit 2001, çdo kompromis është mosrealizim i qëllimeve! Ajo e ndali konfliktin të mos përshkallëzohet si në rastin e Bosnjës, vendosi disa raporte të reja në funksionimin e shtetit dhe shoqërisë, zgjidhi disa probleme që ishin burim konfliktesh politike që nga miratimi i Kushtetutës së vitit 1991 e deri në vitin 2001.
Mospërshkallëzimi i konfliktit krijoi mundësi përballuese të pajtimit, e që hapi i parë madje u bë një vit më pas, kur shumë komandantë të UÇK-së, me kryekomandantin e tyre, u gjetën në parlament dhe në qeveri. Sado që kjo ka qenë edhe një shok për publikun e Maqedonisë, ishte një barrierë që u kapërcye dhe tashmë askush nuk e përdor si temë. Ndërkohë, janë bërë edhe hapa të tjerë për tejkalime barrierash psikologjike: ministra të BDI-së u kanë bërë nderime viktimave të njësive mbrojtëse të Maqedonisë (Fatmir Besimi në Karpallëk…), një ish-komandant, si Stojanço Angellov, me ish-armikun e vet, Abedin Zimberin, u kanë bërë nderime viktimave të të dy palëve ose vizita e fundit e zëvendëskryeministrit të parë, Artan Grubi, njësitit special të “tigrave”…
Këto janë ato barriera psikologjike që janë tejkaluar dhe tashmë po krijohen raporte normale pa ngarkesat e mëparshme. Mbyllja e problemeve arsimore (sot shqiptarët kanë dy universitete shtetërore dhe një privat), avancimi i gjuhës në sektorin publik në mbarë territorin, përfaqësimi më i lartë në administratë, edhe pse jo në mënyrën më ideale, kanë krijuar një realitet të ri i cili është i parakrahasueshëm me atë të para vitit 2001.
(Botuar në revistën “Shenja”, gusht 2021, me rastin e 20-vjetorit të Marrëveshjes së Ohrit)