08/09/2024

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Blerim Isufaj, ka konfirmuar se dy nga tre personat e vrarë nga grupi terrorist në Banjskë janë me nënshtetësi të dyfishtë. Prokuroria vazhdon të presë raportin definitiv nga Policia e Kosovës për të marrë të dhënat e plota lidhur me rastin terrorist.

“Deri më tash janë të konfirmuar tre persona të vrarë nga grupi terrorist. Që të tre janë të nacionalitetit serb. Për dy e kemi të konfirmuar se kanë nënshtetësi të dyfishtë – të Republikës së Kosovës dhe të Republikës së Serbisë, derisa për të tretin nuk mund ta them nëse ka dyshtetësi”, tha Isufaj në një intervistë për magazinën “Lajmet e Fundit” në RTK. Ai gjithashtu theksoi se prokuroria e konsideron operacionin të përfunduar pas pranimit të raportit definitiv nga Policia e Kosovës për rastin në Banjskë. Gjatë hetimit janë gjetur armë dhe një automjet i blinduar me armatim të madh. Prokurori Abazi ishte i pranishëm për të siguruar provat. “Edhe sot kemi pasur risi për rastin që ka ndodhur dje. Përveç arsenalit të madh të armatimit të gjetur dje, një gjë e tillë ka ndodhur edhe sot, ku është gjetur një automjet i blinduar me një sasi të madhe të armatimit. Ne si Prokurori Speciale në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës dhe mekanizmat tjerë relevantë kemi udhëhequr veprime hetuese gjatë ditës së djeshme dhe sot për rastin e Banjskës. Nga momenti kur ka ndodhur sulmi terrorist e deri më tani prokurori i rastit Naim Abazi ishte i pranishëm në vendin e ngjarjes për të siguruar provat në mënyrë adekuate, të cilat do të ndriçojnë rrjedhën faktike të rastit të djeshëm terrorist”, tha Isufaj.

Isufaj gjirhashru njoftoi se në QKUK ishte mbajtur seanca ndaj të pandehurit për trajtim mjekësor, me masën e paraburgimit prej 1 muaj. Sot do të mbahet seanca për dy të arrestuarit e tjerë nga grupi terrorist në Banjskë në orën 10:00.