16.8 C
Skopje

Edhe këshilltari i Aleancës kundër Kasamit, Etemi: I nevojshëm serioziteti në punë, sepse krijohen hendeqe që vështirë rikuperohen

Këshilli i Komunës së Tetovës rrezikon të shpërbëhet dhe si pasojë të organizohen zgjedhje të reja për këshill komunal. Arsye për këtë është fakti se këshilli nuk e ka miratuar llogarinë përfundimtare të buxhetit të komunës për vitin e kaluar (2021) deri me 31 mars të këtij viti ashtu siç e parasheh ligji. Kjo pikë pas afatit ligjor nga kryesuesi i këshillit është vendosur për diskutim në rend dite në këshill. Këshilltarët e Këshillit të Komunës së Tetovës për Portalb.mk komentojnë këtë çështje.

Cili është qëndrimi i këshilltarëve?

Muzafer Etemi, këshilltar nga ASH-ja, u shpreh se zgjedhjet e reja do të sjellin risi në formacionin e ri të këshillit.

“Zhvillimet e fundit në Këshillin e Komunës së Tetovës edhe për ne si këshilltarë të Aleancës për Shqiptarët kanë qenë paksa të papritura. Megjithatë besojmë se zgjedhjet e reja do të sjellin risi në formacionin e ri të këshillit. Duhet theksuar gjithashtu se është më se i nevojshëm serioziteti në punë, sepse krijohen hendeqe që vështirë rikuperohen. Kemi pasur një periudhë mjaft të rëndë për qytetin tonë gjatë mandateve të kaluara, ndërkaq tani e kemi shumë të vështirë të mëkëmbemi”, tha Etemi.