11/10/2024

Tonino Picula nga Aleanca Progresive e Socialistëve dhe Demokratëve (S&D) në Parlamentin Evropian (PE), ka thënë se refuzimi i Serbisë për ta ekstraduar përgjegjësin për përgatitjen e kryengritjes së armatosur ndaj Policisë së Kosovës në pjesën veriore, Millan Radojçiq, mund të komplikojë edhe më tej marrëdhëniet edhe ashtu të vështira mes Kosovës dhe Serbisë.

Në një intervistë për gazetën serbe “Nova”, eurodeputeti kroat ka theksuar se reagimet e mundshme të bashkësisë ndërkombëtare mund të rezultojnë në veprime edhe më të rrepta politike dhe diplomatike ndaj Serbisë nëse refuzon të përmbushë kërkesën parësore të Bashkimit Evropian (BE) që të nxjerrë para drejtësisë përgjegjësit e sulmit terrorist që janë arratisur në Serbi.

Në Parlamentin Evropian është miratuar një rezolutë javën e kaluar më 19 tetor, me të cilën kërkohen sanksione për Qeverinë e Serbisë nëse konstatohet se shteti i Serbisë ka qenë i përfshirë në sulmin terrorist në Banjskë.

“Në rezolutën e miratuar nga PE-ja, masat kufizuese duhet të përfshijnë, por jo vetëm, ngrirjen e aseteve dhe ndalimin e udhëtimit ndaj aktorëve destabilizues në veri të Kosovës, sikurse Radojiçiçi, i cili ka marrë përgjegjësinë për organizimin e sulmit të përmendur terrorist”, ka theksuar Picula, i cili kishte përpiluar tekstin e Rezolutës së miratuar së fundmi në PE për konfliktin në Banjskë.

Sa i përket bashkëpunimit të Serbisë në këtë drejtim, eurodeputeti kroat ka nëvizuar se është e vështirë të konfirmohet me siguri absolute përfshirja e palës serbe në zgjidhjen e konflikteve, madje edhe atëherë dhe Serbia bashkëpunon, sipas tij, shpesh e bën këtë me një “fik në xhep”, duke ilustruar traditën e thyerjes së zotimeve nga autoritetet në Beograd.