01/12/2024

Protestat e fermerëve duket se po kthehen në një çështje serioze në Europë. Fermerët francezë dhe belgë janë ata që kanë zhvilluar tubime më të ashpra deri më tani, aq sa mbi 1000 traktorë bllokuan hyrjen e Parlamentit Europian në Bruksel, teksa aty zhvillohej një samit informal i 27 liderëve të bllokut.

Fermerët protestues nuk janë ndalur me kaq, pasi mëngjesin e kësaj të premte e kanë nisur duke bllokuar kamionët që të kalojnë kufirin belgo-hollandez.

Sipas Reuters, që i referohet raportimit nga qendrat e trafikut në Belgjikë dhe Holandë, të bllokuara janë disa pika kufitare, përfshirë atë të Antwerp, qyteti i dytë më i madh i Belgjikës dhe porti i dytë më i madh në Evropë.

Mediat lokale raportojnë se shumica e protestuesve kanë ardhur nga Belgjika dhe disa prej tyre janë holandezë.

Ndërkohë, në Belgjikën perëndimore, fermerët kanë bllokuar kamionët të hyjnë ose të dalin nga porti i Zeebrugge, pjesë e Portit të Antëerp-Bruges, për disa ditë.

Sipas transmetuesit flamand VRT pothuajse 2,000 kamionë janë bllokuar në port.

Fermerët gjetkë në Evropë janë po aq të pakënaqur, me trazira të vërejtura në Gjermani, Poloni, Greqi, Portugali dhe Rumani. Ata po protestojnë kundër taksave të shtuara, kostove në rritje, importeve të lira që mbysin produktin vendas dhe burokracive në shpërndarjen e subvencioneve.