3.8 C
Skopje

Forcat ruse shpërndajnë protestën e ukrainasve në Herson

Forcat ruse kanë përdorur gaz lotsjellës dhe shok-bomba për të shpërndarë një tubim pro Ukrainës në qytetin e pushtuar të Hersonit më 27 prill, tha Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Ukrainës, një ditë pasi Rusia pretendoi se ushtria e saj kishte marrë kontrollin e rajonit të Hersonit.

Autoritetet lokale thonë se Rusia ka emëruar kryetarin e saj të qytetit të Hersonit më 26 prill pasi trupat morën kontrollin e selisë së administratës në këtë rajon që gjendet në jug të Ukrainës. Hersoni ishte një prej qyteteve të para që u sulmua pasi Rusia nisi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.

Disa herë janë mbajtur tubime kundër pushtimit rus në Herson dhe qytetarët u mblodhën sërish më 27 prill në qendër të qytetit.

“Gjatë një tubimi paqësor pro Ukrainës në Sheshin e Lirisë në qytetin e Hersonit, ushtarët rusë përdorën gaz lotsjellës dhe shok-bomba kundër popullatës civile”, tha Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Ukrainës.

Të paktën katër persona janë plagosur dhe kjo zyre tha se po hetonte këtë ngjarje. Ende nuk ka pasur ndonjë reagim nga pala ruse për këtë ngjarje.

Më 26 prill, Ministria e Mbrojtjes së Rusisë kishte thënë se ka marrë kontrollin e gjithë rajonit të Hersonit, që ka një rëndësi strategjike pasi gjendet në një zonë që do t’i jepte Rusisë një lidhje tokësore me zonat ku janë separatistët pro-rusë në lindje të Ukrainës dhe me rajonin e aneksuar të Krimesë.

Autoritetet lokale kanë thënë se mijëra persona janë larguar nga Hersoni për në territoret e kontrolluara nga Ukraina, por edhe në vende të tjera. Ky rajon po përballet me ndërprerje të rrymës dhe ujit dhe banorët po përballen me furnizime të pakta të ushqimeve dhe ilaçeve si dhe në këtë rajon po ka ndërprerje të shërbimeve telefonike.