05/11/2024

Si duket politika dhe mediat, disa gjëra i kthejnë mbrapshtë! Psh., një personalitet si Gruevski, të shprehemi me gjuhën holivudiane, nga antiheroi duan ta bëjnë hero!
Ka javë që emri i tij nuk zbret nga shtyllat e medias, jo do vijë, jo s’do vijë, jo do vijë t’ia zë vendin Mickoskit, jo do vijë të bëjë parti të re, jo do vijë se e ka amnistuar Qeveria për t’i siguruar vota për ndryshimet kushtetuese, e shumëçka tjetër.

Vetë Gruevskit i pëlqen ndoshta ky lloj publiciteti, për ta nxjerrë nga harresa, ndaj dhe ia ka ënda të komunikojë nga distanca me publikun në Maqedoni, duke dërguar mesazhe për oponentët politikë të vjetër(Zaevin…) dhe ata që po bëhen oponentë tash(Mickoskin…). E fundit ishte intervista e gjerë për Politikën beogradase, ku ai foli e sqaroi shumëçka rreth “rastit” të tij, e ishte dhe i drejtpërdrejt rreth spekulimeve për kthimin e tij, që e përmendin sa VMRO-ja, aq dhe partitë shqiptare, që supozohet se duan të bashkëpunojnë me të.

“Këto deklarata të disa partive shqiptare dhe maqedonase, të afërta me Mickoskin dhe Zaevin, janë pjesë e folklorit, të cilin folklor e kemi vëzhguar prej rreth një muaji.
Siç shkruan indeks.mk, në themel të gjithçkaje qëndron frika e kthimit tim eventual në vend. Në radhë të parë është qëndrimi i disa politikanëve ndaj meje në 5–6 vitet e fundit, mosha, por edhe paaftësia e tyre në menaxhimin e përgjithshëm të shtetit, si dhe motivet kriminalo-korruptive. Kjo është arsyeja pse, në fakt, disa prej tyre merren me politikë”, ishte një nga përgjigjet e Gruevskit në gazetën Politika.

Të jemi të sinqertë, ka diçka të vërtetë në këto hamendësime të Gruevskit. Sepse, atij, që me spekulimet e para për “kthim” iu lëshuan “eskorta” partiake e Mickoskit, me gjasë të ndjerë përnjëmend ngushtë dhe të frikësuar, ndaj dhe lëshuan një rrebesh akuzash sa në adresë të ish-liderit të pakontestueshëm të tyre, sa ndaj qeverisë duke shpikur dyshime se dëshiron ta kthejë Gruevskin. Për të qenë frika më e madhe, për të mos i dhënë karakter irracional si diçka e shpikur nga dikush, dëshmoi një anketë që ndërkohë u botua, ku na doli se Gruevski ka rejting më të madh se lideri i tashëm i VMRO-së. Mjaftueshëm për t’u ndezur dritat e alarmit në këtë parti, jo ndoshta aq nga kthimi i tij në krye të partisë, si diçka që është e parealizueshme për shumë arsye, por nga mundësia e themelimit të një partie të re, me të cilën kjo parti e re e, gjykuar sipas përkrahjes, Gruevski do ta përgjysmonte VMRO-në e Mickoskit!

Ky është vërtet një hall i madh që e bën Mickoskin të humbë rehatinë.

Në këtë diskurs, nëse është e logjikshme frika që mbretëron te VMRO-ja, duket i palogjikshëm Interesimi aq i madh edhe i partive opozitare shqiptare. Çfarë kanë ato nëse kthehet ose jo Gruevski? A mos ua prish vërtet planin e mësymjes së pushtetit me Mickoskin bashkë, duke e ditur forcën e tyre reale se vetë nuk mund ta rrëzojnë BDI-në nga pushteti? A i bëjnë këto plane edhe duke e ditur se rreshtimi me Mckoskin ato i bënë “dele të zeza” në sytë e votuesve shqiptarë, të cilët në këtë moment e shikojnë priroritetin e vendit që të hyjë sa më parë në BE, për çka pengesë është pikërisht Mickoski?-pyet portali indeks.mk.

Luajtja në “letrën” e Mickoskit dhe krijimi i “gogolit” të Gruevskit, zor se partive shqiptare mund t’u sjellë ndonjë përfitim politik, sepse rreshtimi me forca që frenojnë integrimin e vendit në BE, nuk do të kalojë pa ndëshkim.

Nëse duan që të mbrojnë interesat e popullatës shqiptare, këtyre partive iu nevojitet një platfromë autentike, e jo të bëhen imitatorë të zbehtë dhe apologjetë të rrugës së Mickoskit, i cili i ka arsyet e veta të frikës nga Gruevski dhe qëllimet politike që s’janë të përputhshme me ato të popullatës shqiptare.