Rikthimi i vëmendjes së shteteve më të
fuqishme në Bashkimin Evropian karshi dialogut Kosovë-Serbi, po konsiderohen si
shtytëse të përfundimit të marrëveshjes përfundimtare, raporton Ekonomia
Online.
Këtë e ka bërë të ditur, profesori
universitar, Ibrahim Gashi, i cili vlerëson se zhvillimet në Ukrainë, kërkojnë
të përmbyllet ky proces.
Krahas kësaj, Gashi thotë se Qeveria e
Kosovës është më aktive në dialog, për të cilën thotë se i ka munguar më herët.
“Në përgjithësi ka një përshtypje se
dialogu po dinamizohet, edhe ndërmjetësi Lajçak por edhe dy shtetet më të
fuqishme të Be-së Gjermania dhe Franca, po duken më të involvuara për ta
mbështetur këtë proces. Kjo lë përshtypje se jemi afër një marrëveshje
përfundimtare, sado që është vështirë e besueshme, por megjithatë ka një
rikthim të vëmendjes te dialog sesa ka qenë ndoshta edhe për shkak të
zhvillimeve siç ishte lufta Ukrainë-Rusi, mbase për një kohë ka pasur ngecje,
mirë është që Qeveria tani është më aktive, e ka ndër prioritetet kryesore dhe
po mban qëndrime të duhura, dhe ne si vëzhgues të jashtëm duke e pasur mungesë
informacione më burimore, mund të konstatojmë se ka të ngjarë se po lëvizet
drejt një marrëveshje përfundimtare”.
Duke folur për dialogun me Serbinë,
Gashi thotë se Kosova duhet të angazhohet më shumë në diplomaci, e sidomos me
vizita zyrtare.
“Kosova duhet të jetë proaktive,
dialogu është alternativa kryesore e Kosovës për të shkuar drejt njohjes dhe
përfundimit të legjitimimit ndërkombëtar të statusit të saj. Kosova sado që
është shtet i vogël, ka deficite ekonomike dhe duhet ta ketë prioritet edhe më
tutje politikën e jashtme, pra interaktivitetin, pra bisedimet me secilën
organizatë, me një fjalë duhet të jetë më aktive në lobim, duhet të ketë
diplomaci më shumë proaktive, duhet të ketë më shumë vizita e më shumë pritje
të zyrtarëve të lartë këtu. Kosova duhet të dalë nga një lloj izolimi që e ka
pasur për një kohë”, u shpreh Gashi.
E duke folur për luftën në Ukrainë,
profesori universitar vlerëson se Kosova nuk ka mundur ta shfrytëzojë
ndërkombëtarishtmossanksionimin e Serbisë ndaj Rusisë.
Ai hotë se sanksionet që i ka vendosur
Kosova, janë më të vogla se i shteteve tjera.
“Kosova ka ndjekur një kurs racional në raport me zhvillimet në Ukrainë, dhe sigurisht që kjo i ka dhënë njëfarë impulsi ndërkombëtarëve për Kosovën dhe njëfarë mbështetje, por nuk është se ka mundur shumë ta shfrytëzojë, për faktin se vëmendja e fuqive të mëdha ka qenë shumë e përqendruar atje (Ukrainë), dhe Kosova nuk ka pasur ndonjë kontributi të drejtpërdrejtë në atë luftë, përveç një deklarimi që i vënë sanksione, por efekti i atyre sanksioneve që i vënë Kosova, Rusisë, janë pakrahasimisht më të vogla se secilit shtet të Evropës”.