Gjykata Komerciale ka hedhur poshtë pretendimin e ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari e cila në konferencën e së martës ka deklaruar se “Klan Kosova” nuk ka përmirësuar dokumentet deri në ditën e marrjes së vendimit për pezullimin e veprimtarisë biznesore të këtij televizioni.
“Gjykata pasi vlerësoi kërkesën e paditësit, shkresat e lëndës, por edhe përmbajtjen e vendimeve kontestuese, konstatoi se i padituri me Vendimin nr. 309/11 të datës 14.06.2023 ka vendosur që të pezullojë certifikatën e biznesit të kompanisë ‘Klan Kosova’ Sh.p.k. me NUI 810795297 të datës 29.05.2020 dhe me Vendimin për Korrigjim nr. 311 të datës 15.06.2023 ka bërë korrigjimin e bazës ligjore të vendimit nr. 309/11 të datës 14.06.2023, ndërsa me vendimin nr. 333 të datës 21.06.2023 duke vepruar sipas detyrës zyrtare i padituri ka shfuqizuar vendimin nr. 309/11 të datës 14.06.2023”, thuhet në vendimin e Gjykatës Komerciale.
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka njoftuar më 28 korrik se Komisioni për Shqyrtimin e Ankesave për Regjistrimin e Bizneseve ka refuzuar ankesën e “KlanKosovës” për vendimin për pezullimin e certifikatës së biznesit për këtë televizion dhe se tash pala ankuese mund të parashtrojë padi në gjykatë, pasi rasti është mbyllur brenda Ministrisë.
“Vendimi i Komisionit konstaton se ARBK-ja, në shkallën e parë, ka vendosur në përputhje me ligjin kur e pezulloi certifikatën e biznesit të Klan Kosovës sh.p.k”, thuhej në njoftim.
“Arsyetimi i ARBK-së për pezullimin e certifikatës ka qenë se, në dokumentet e regjistrimit të kompanisë pronare të biznesit në fjalë, ‘KGO Media Invest DOOEL’, komunat e Republikës së Kosovës paraqiten si qytete të Serbisë, gjë që përbën shkelje të Kushtetutës sonë. Vetë fakti që përfaqësuesit e Klan Kosovës sh.p.k., pas kaq shumë vitesh, kanë nisur hapa për korrigjim, vërteton se biznesi në fjalë e kishte kryer shkeljen e konstatuar nga ARBK-ja dhe se vendimi për pezullimin e certifikatës së biznesit ishte marrë me të drejtë”, thuhej tutje në njoftim të MINT-it.
Sipas Ministrisë, përpjekjet e “KlanKosovës” për t’i korrigjuar këto shkelje, nuk kanë shkuar deri në fund.