11/12/2024

Zëvëndëskryeministri i parë Artan Grubi përmes një statusi në Facebook njoftoi se Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut, në seancën e mbajtur më 22 gusht solli vendim për themelimin e konviktit shtetëror “Tetova” për studentët në qytetin e Tetovës.

Ky konvikt do të shndërrohet në përvojën e parë të jetës studentore të shumë studentëve, e sidomos për pjesën dërmuese me të ardhura të pakta ekonomike, ky konvikti do të jetë shtëpia e tyre e re gjatë gjithë ciklit studimor.

“Tetova, vatra e dijes studentore do të bëhet me Konvikt Shtetëror Studentor.

Në seancën e sotme të Qeverisë miratuam vendim për themelimin e këtij institucioni me kapacitet akomodues prej 300 shtretër.

Me këtë synojmë të lehtësojmë jetën studentore të të rinjve duke reduktuar shpenzimet dhe duke ofruar cilësi hapësinore sipas të gjitha standardeve bashkëkohore”, shkruan Grubi.

Në afat prej 15 ditësh nga dita e hyrjes ne fuqi të këtij vendimi do të konstituohet Këshilli Drejtues i Konviktit, dhe po në këtë afat kohor ky këshill do të shpallë thirje publike per zgjedhjen e drejtorit të këtij Konvikti, si dhe do ta sjellë edhe statutin.