25/02/2024

Zëvendëskryeministri i parë, Artan Grubi përmes një statusi në faqen e tij zyrtare në Facebook ka apeluar edhe një herë deri tek të gjithë deputetët që të votojnë PËR ndryshimet kushtetuese dhe të kontribuojnë në rrugëtimin pro-europian të Maqedonisë së Veriut.

Grubi shton se vendi ynë nuk ka alternativë tjetër përveç anëtarësimit në Bashkimin Europian, synim ky i cili duhet të realizohet me sukses.

 

Statusi i plotë:

Nga sot në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut fillon kapitulli vendimtar i rrugëtimit tonë europian dhe se si do të shkruhet ai, kjo varet nga ne, a do të përshpejtojmë hapin për ta bërë realitet integrimin deri në vitin 2030 apo do të mbesim të izoluar në labirintet e pasigurisë dhe paparashikueshmërisë.

Të përzgjedhurit e popullit, deputetët e kësaj përbërje parlamentare kanë në dorë përgjegjësinë e madhe të ardhmërisë europiane, andaj i ftoj që të reflektojnë, të lënë anash agjendat e politikave të dëmshme ditore dhe njëzëri të votojnë për ndryshimet kushtetuese që nuk cenojnë dhe dëmtojnë askënd, përkundrazi përforcojnë themelet e demokracisë së vendit.

Nuk mund të ketë asnjë alibi, tani do të shihet gjithçka qartë, kush dëshiron Europën dhe progresin, e kush dëshiron destabilizimin dhe regresin.

Vendi ynë nuk ka alternativë tjetër përveç integrimit në Bashkimin Europian. Me apo pa dikënd ky synim i qytetarëve të vendit do të realizohet, është rrugë e pandalshme, por le të përkujdesemi tani që brezi i ardhshëm të na falënderojë për hapin e duhur në kohën e duhur.

https://m.facebook.com/story.php?story_fbid=pfbid023bocxBWgK9c6fQBeYVHi2gCjjr7ba9S2c1VqdYni17m8SeCSP251UJDofs6mNjgZl&id=100044385821029&mibextid=Nif5oz